Shqiptari në gjendje të dehur tenton të vrasë kunatin në Greqi, qëllon në ajër për t’i shpëtuar policisë

Mbrëmjen e së mërkurës (15 nëntor) në zonën e Lagadas në Greqi, një shtetas shqiptar ka tentuar të vrasë me armë zjarri kunatin e tij 37-vjeçar, ndërsa ishte në gjendje të dehur.

Nga të shtënat, 37-vjeçari nuk ka mbetur i plagosur.

Sapo policia ka mbërritur në vendngjarje, 39-vjeçari ka tentuar t’i shpëtojë arrestimit duke qëlluar sërish në ajër dhe duke u futur në oborrin e kishës së Epifanisë së Timiou Prodromos dhe Agia Anastasia Farmakolytria.

Pas veprimeve të koordinuara nga policia, ai u arrestua, pavarësisht rezistencës së fortë që bëri.

Arma e sekuestruar ishte raportuar e vjedhur në janar nga një shtëpi në zonën e gjerë të Lagadas dhe e cila, siç u konstatua, kishte gëzhoja të gatshme për përdorim.

I arrestuari, ndaj të cilit rëndon akuza e tentativës për vrasje, do të dërgohet në Prokurorinë Penale të Selanikut./albeu.com


Shtuar 16.11.2023 10:25