Shqiptarët shpenzuan më pak se 16 milionë euro për t’u siguruar nga katastrofat në 2022

Tërmetet e forta të datës 6 shkurt në Turqi sollën, edhe një herë në kujtesë, rrezikun e lartë nga fatkeqësitë natyrore.

Shqipëria është një vend me aktivitet të lartë sizmik dhe në nëntor të vitit 2019 u përball me një tërmet të fortë që shkaktoi 51 viktima, shumë të plagosur dhe dëme të mëdha në ndërtesa.

Fatura e dëmeve u vlerësua në më shumë se 1 miliard euro dhe në pjesën dërrmuese këto dëme u mbuluan nga programi i rindërtimit, financuar nga buxheti i shtetit dhe nga donatorë të ndryshëm.

Sipas vlerësimeve, kompanitë e sigurimeve paguan rreth 40 milionë euro dëme të lidhura me këtë ngjarje. Kjo shifër reflekton shkallën e ulët të sigurimit ndaj fatkeqësive natyrore në Shqipëri. Gjërat nuk kanë ndryshuar shumë që atëherë.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se për vitin 2022, primet e shkruara bruto për sigurimin e pronave nga katastrofat kishin vlerën e 1.82 miliardë lekëve, ose më pak se 16 milionë euro.

Shpenzimi mesatar për frymë për sigurimin e pronës nga fatkeqësitë natyrore vlerësohet në më pak se gjashtë euro për frymë ose më pak se 21 euro për familje. Në pjesën dërrmuese, kontratat janë të lidhura me detyrimin e vendosur nga bankat tregtare për sigurimin e pronave të lëna si kolateral dhe me sigurimet në segmentin e biznesit.

Instat e vlerëson numrin e përgjithshëm të familjeve në Shqipëri rreth 765 mijë, ndërsa lidhur me numrin e banesave të dhënat më të fundit janë ato të Censusit 2011, ku u regjistruan rreth 1.075 milionë banesa.

Megjithëse tendencat demografike kanë një prirje të qartë rënëse që nga Censusi i fundit, numri i banesave vlerësohet të ketë pësuar një rritje të ndjeshme, sidomos pas bumit të ndërtimit të viteve të fundit, i përqendruar kryesisht në kryeqytet dhe në zonat bregdetare.

Sipas statistikave të AMF, numri total i kontatave të sigurimit për dëmet në pronë (jo vetëm për sigurimin nga katastrofat) arriti në 54 mijë. Pa marrë parasysh që një pjesë e mirë e kontratave i takojnë bizneseve, mund të vlerësohet se aktualisht sigurimi i pronës mbulon vetëm 7% të familjeve ose 5% të banesave.

Siguruesit shprehen pesimistë rreth mundësisë për të siguruar një mbulim masiv të popullsisë me sigurim nga katastrofat mbi baza vullnetare. Prej vitesh qeveria shqiptare po shqyrton mundësinë e ngritjes së një skeme kombëtare të sigurimit nga fatkeqësitë, me konsulencën e Bankës Botërore. Deri tani, një skemë e tillë nuk është ngritur dhe në rast të katastrofave shumica e shqiptarëve do të ishin të ekspozuar ndaj një dëmi të madh ekonomik.

Drafti i fundit që iu propozua qeverisë shqiptare në fund të vitit 2019 bazohej në modelin e një skeme të detyrueshme, që do të menaxhohej nga një ent publik, i ngritur posaçërisht për këtë qëllim. Sigurimi i detyrueshëm do të mbulonte vetëm dëmet nga tërmetet dhe primi do të varionte nga 15 deri në 25 euro në vit, në varësi të llojit të ndërtimit.

Skema e propozuar ishte e ngjashme me modelin e aplikuar nga Turqia, një vend me rrezik shumë të madh nga tërmetet. Nga ana tjetër, kompanitë e sigurimit janë shprehur kundër ngritjes së skeme të posaçme publike për këtë qëllim, duke kërkuar që sigurimi i detyrueshëm të bëhet pranë kompanive private, ndërsa rreziqet do të risigurohen tek risigurues të huaj, sipas parimeve që ndiqen edhe sot për këtë produkt./Monitor/


Shtuar 7.02.2023 07:34