Shqiptarët paguan 15 milionë euro për Kartonit Jeshil

Numri i shqiptarëve që kanë udhëtuar jashtë kufijve këtë vit, veçanërisht gjatë periudhave festive, ka shënuar ritje mjaft të fortë. Nga të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, rezulton se numri i kontratave të kartonit jeshil, sigurimi që paguan ccdo mjet shqiptar që del jashtë kufirit, është rritur me 42.51% krahasuar me periudhën janar-tetor 2022.

Bëhet fjalë për një sigurim të detyrueshëm që duhet ta paguajnë mjetet me targa shqiptare që qarkullojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Kohëzgjatja e siguracionit mund të jetë 15 ditë, 1 muaj, 3 muaj, 6 muaj ose 1 vit. Në total, rezulton se shqiptarët kanë paguar rreth 15 milionë euro për të suguruar mjetet për të lëvizur jashtë kufijve gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti.

Ndërkaq i gjithë tregu i sigurimeve ka njohur rritje të fortë gjatë këtij viti. Të dhënat e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare tregojnë se të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për muajin janar-tetor 2023 kapën vlerën 18,8 miliardë lekë, ose 9.64% më shumë se në janar-tetor 2022. Gjatë periudhës janar-tetor 2023, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,211,966 me një rritje prej 11.22% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjithësesi, janë sigurimet e detyrueshme ato që zënë pjesën dërrmuese të arkëtimeve të kompanive. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.45% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.55% të totalit të tregut. Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.94% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, sigurimet e Jetës kanë 8.00% dhe risigurimi 0.065 %.

Lorenc Rabeta/SCAN TV


Shtuar 6.12.2023 15:30