“Shqiptarët, kur ju jepet mundësia janë të jashtëzakonshëm”/ Shehaj në Itali: Të marrë fund emigrimi masiv, të bëjmë një Shqipëri më të mirë

Kryetari i partisë Mundësia, Agron Shehaj, në fjalën e tij në miting në Itali tha përpara shqiptarëve se ai është një nga emigrantët e vendit fqinj dhe se i është dashur shumë punë për të arritur këtu ku është.

Shehaj thekson se shqiptarët janë të jashtëzakonshëm kur janë të jashtëzakonshëm. Ai shtoi se duhet të marrë fund emigrimi masiv, duke shtuar se duhet të bëjmë një atdhe më të mirë.

Agron Shehaj: Unë kam punuar e studiuar këtu dhe e di që në Itali nuk ka kompromise. Sot jemi këtu bashkë për një arsye të madhe, një Shqipëri më të mirë për të gjithë. Kam sakrifikuar shumë që të arrij këtu ku jam, unë jam një prej jush. Shqiptarët nuk dorëzohen, kur ju jepet mundësia ata janë të jashtëzakonshëm. Vendosa të kthehem në Shqipëri, për ëndrrën tonë të përbashkët, që të ndërtojmë një ditë të ardhmen tonë në atdheun e përbashkët.
Shqiptarët nuk duhet që të ikin nga vendi, ata duhet të kenë mundësi për jetë më të mirë në vendin ku lindën dhe u rritën. Klasa politike shqiptare ka dështuar, ka luftuar për kolltuqet personale e është koha t’i largojmë. Janë thjesht të babëzitur, që gënjejnë qytetarët. Do çlirojmë ekonominë nga qeveritarët e korruptuar.

Fjala e kryetarit të partisë Mundësia Agron Shehaj:

“Unë jam një prej jush! E kujtoj si sot ditën kur shkova për herë të parë në shkollë, ku nuk njihja askënd, nuk kisha asnjë shok, kur ndihesha i huaj, kur në universitet punoja dhe studioja njëkohësisht për të mos rënduar familjen time. Dhe më pas, kur u diplomova, pashë gëzimin dhe krenarinë në sytë e prindërve të mi, kur kuptuan që sakrificat e tyre nuk kishin shkuar dëm! Por shkollimi ishte vetëm fillimi. Sfida e vërtetë filloi kur vendosa të krijoj një sipërmarrje. Ishte ëndrra ime. Si shumë prej jush, me shumë vështirësi, me punë dhe me këmbëngulje ia dola. Arrita atë që dëshiroja. Kjo është historia ime. Por kjo është edhe historia juaj!
Histori mundi, sakrifice, suksesi! Sepse shqiptarët nuk dorëzohen! Sepse shqiptarët janë të zotët! Sepse, kur i jepet mundësia, shqiptarët janë të jashtëzakonshëm”, tha Shehaj ndër të tjera. Dua të jem i qartë dhe i drejtpërdrejtë me ju: ata që kanë qeverisur Shqipërinë deri tani kanë dështuar! Dështuan sepse menduan vetëm për veten e tyre! Dështuan sepse vodhën, sepse abuzuan, sepse shitën Shqipërinë për interesa personale! Dështuan sepse nuk kthyen pronën. Nuk dëmshpërblyen të persekutuarit. Nuk kërkuan as ndjesë.

Dështuan sepse nuk kanë dashur asnjëherë që vendi të bëhet si Europa, sepse atëherë do të humbnin pushtetin e tyre të paligjshëm! Ata kanë luftuar për kolltuqet e tyre! Dhe tani është koha që t’i largojmë”. Më pak pushtet për qeverinë dhe më shumë liri për qytetarët. Zgjidhja kalon nëpërmjet rritjes ekonomike ku çdo qytetar të ketë lirinë të punojë dhe të hapë një biznes të tijin pa shumë burokraci, ku të mos mbretërojnë monopolet dhe oligarkët e lidhur me pushtetin.


Shtuar 2.02.2025 13:45

Tags: ,