Shqiptarët kanë konsumin më të lartë të k*kainës në Europë

Përdoruesit shqiptarë të drogave kanë nivelin më të lartë të konsumit të kokainës në Europë, me 41% të përdoruesve që kanë konsumuar kokainë, përkundrejt 21% që është mesatarja e Ballkanit Perëndimor dhe 29% e Bashkimit Europian, sipas të dhënave të sondazhit të Agjencisë së Drogave të Bashkimit Europian EUDA (shiko grafikun Përdorimi i drogave në 12 muajt e fundit sipas substancave).

Anketa Europiane në Internet mbi Drogat (European Web Survey on Drugs), mblodhi të dhëna midis majit dhe korrikut 2024 nga persona përdorues të drogës, të moshës 18-vjeç e lart, që jetojnë në vendet e BE-së dhe jashtë saj. Në total, morën pjesë mbi 66 000 persona nga 31 vende.

Në Ballkanin Perëndimor, u përgjigjën 4,442 individë të moshës 18-vjeç e lart, që përdorin droga (Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi).

Analiza e përgjigjeve të të anketuarve zbuloi gjetje kyçe mbi përdorimin e tyre të drogave në 12 muajt e fundit. Të dhënat publike përfshinë gjetjet e përmbledhura të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor.

Të dhënat e përgjigjeve nga individët shqiptarë për Shqipërinë, u vunë në dispozicion nga EUDA posaçërisht për Monitor dhe u përpunuan nga Monitor.

Shqipëri, kanabisi dhe kokaina drogat më të përdorura

Kanabisi mbetet droga që konsumohet më shumë nga individët shqiptarë, me 56% të të anketuarve që kanë deklaruar që e përdorin atë. Përdorimi i kësaj substance është shumë pak më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian (59%) dhe më i lartë se në Ballkanin Perëndimor (42%).

Shqipëria është e vetmja ku kokaina është substanca e dytë më e konsumuar pas kanabisit. 41% e përdoruesve të drogave thanë se kishin konsumuar kokainë në 12 muajt e fundit. kjo përqindje është dy herë më e lartë se mesatarja e Ballkanit Perëndomor dhe shumë mbi nivelin e BE-së prej 29%.

Në Ballkanin Perëndimor, substanca e dytë më e konsumuar është Benzodiazepines (pa recetë), me 22% të përdoruesve, kundrejt 5% në Shqipëri.

Në Shqipëri, substanca e tretë më e konsumuar është MDMA/Ecstasy (16%) e ndjekur nga kërpudhat dhe truflat (11%).

Kokaina mbizotëron në bare

Kokaina pudër e ka konsumin më të lartë në bare, me 75% të përdoruesve të tij shqiptarë që thanë që e pinin atë në lokale. Në shtëpi e kishin konsumuar 69% e të anketuarve, në festa ose festivale muzikore (51%), në makinë (35%), në hapësirat publike si parqe (29%), në natyrë (29%).

Kokaina kristal (crack) konsumohet më shumë në ambientet e shtëpisë (75%) dhe më pak në bare (33%).

Arsyeja kryesore e përdorimit të kokainës pudër është për të ardhur në qejf/ për argëtim (58%), për të reduktuar efektet e alkoolit (39%), për të reduktuar stresin/relaksuar (31%), për të bërë shoqëri (24%), për të qëndruar zgjuar (22%).

Kanabisi konsumohet në natyrë, për të reduktuar stresin

Ambientet e hapura janë mjedisi kryesor ku konsumohet kanabisi nga përdoruesit shqiptarë, me 67 % të përgjigjeve. Edhe shtëpia (e vetja ose e dikujt tjetër) mbetet një ambient i preferuar (61%). Në festa ose festivale muzike ishte zgjedhja për 44% e të anketuarve.

Arsyeja kryesore që i nxit shqiptarët të përdorin kanabis është për të reduktuar stresin dhe për tu relaksuar (70%), për të ardhur në qejf/ për argëtim (58%), për të përmirësuar gjumin (43%), për të menaxhuar depresionin (41%), për arsye spiritualë (31%), për varësu (24%), për të bërë shoqëri (19%).

Kanabis edhe në shkollë, kokainë në punë

17% e të anketuarve shqiptarë thanë se një nga vendet ku ata konsumonin kanabis ishte në shkolla. 11% thanë se e konsumonin në punë.

Ndonëse me përqindje të ulëta, kokaina hyn edhe në shkolla, me 4% të të anketuarve se thanë që e konsumonin dhe në shkollë.

Më i lartë është konsumi i kokainës pluhur në punë, me 20% të të anketuarve që thanë se kishin pirë kokainë në zyrë.

Edhe për kokainën kristal, 17% e përdoruesve shqiptarë thanë se e kishin marrë në punë.

Kanabis me cigare e alkool dhe kokainë me alkool e nikotinë

Përdorimi i shumëfishtë i substancave, i cili nënkupton konsumimin e dy ose më shumë substancave në të njëjtën kohë, është raportuar për të gjitha llojet e drogave. Sipas të dhënave të anketimit për Shqipërinë rezulton se 70% e të anketuare thanë se përdornin kanabis me cigare/nikotinë dhe 46% thanë kanabis me alkool.

83% e përdoruesve të kokainës pluhur thanë se e kombinonin me alkool dhe po aq me cigare/nikotinë. 26% e kombinonin kokainën dhe me bar kanabis.

Ku i gjejnë drogat shqiptarët

Një nga pyetjet e anketimit lidhet me burimin e blerjes së substancave të drogës.

Për kanabisin, 46% e përdoruesve shqiptarë thanë se e gjenin nga të afërm, ose njerëz që njohin, 31% thanë që i kontaktojnë direkt burimet përmes telefonit, email ose mesazheve.

Miqtë dhe shokët janë dhe burimi kryesor i gjetjes së kokainës (68%) dhe 47% përmes kontakteve direkte nga telefoni, mail ose mesazhet.

Edhe për substancat e tjera si Methamphetamine, Amphetamine, heroinë, burimi kryesor mbetet blerja nga miqtë./MONITOR


Shtuar 10.03.2025 08:09