Shqiptarët babë e bir tentojnë të djegin me benzinë të moshuarën në Itali, përfundojnë pas hekurave

Policia italiane ka arrestuar babë e bir 64 dhe 37 vjeç me origjinë shqiptare , pasi tentuan që të digjnin me benzine një të moshuar, të afërmen e tyre me të cilin jetonin në një shtëpi.

Sipas mediave italiane, ka qenë e moshuara e cila ka bërë denoncimin në polici, e cila kishte deklaruar se i kishte shpëtuar një sulmi hakmarrës nga dy të afërmit e saj.

Dy shqiptarët, të cilët prej disa vitesh jetonin në shtëpinë e të moshuarës kanë debatuar me të.

Pasi ka rënë nata dhe të gjithë të afërmit e tjerë në shtëpi kishin fjetur, babë e bir, sipas akuzës, kanë hyrë në dhomën e gjumit të gruas me një bidon me benzinë, duke synuar ta trembin apo edhe t’i vënë flakën. Por e moshuara u zgjua pasi dëgjoi hapat në dhomën e gjumit.

Sapo ndjeu aromën e benzinës, gruaja ka bërtitur dhe ka dalë jashtë, duke i shpëtuar kështu sulmit.

E tronditur nga ngjarja ajo ka kërkuar ndihmën e familjarëve, ndërsa më pas ka bërë edhe denoncimin në polici.