Shqipëria synon të anëtarësohet, por është një shekull larg BE/ Analiza: Ja sa shumë na zgjat arritja e standardeve, situata më e vështirë tek treguesit e varfërisë

Shqipërisë do t’i duhen edhe 100 vjet të tjera të arrijë standardet e Bashkimit Europian për varfërinë, gjatësinë e rrugëve, mjedis, apo kapacitetet e energjisë.

Vendi ynë synon të bëhet anëtar i BE-së brenda katër viteve të ardhshme, por nga 40 tregues kryesorë socialë, ekonomikë, në 14 prej tyre, ose 35% e totalit, Shqipëria po bën hapa pas për të arritur standardet e Unionit.

Në 4 tregues e kemi arritur standardin dhe në 22 të tjerë duhen dekada dhe madje më shumë se një shekull, përllogarit Instituti i Vjenës për Studime Ndërkombëtare, i cili ka ndërtuar platformën e konvergjencës të rajonit me BE.

Platforma tregon se sa vite i duhen secilit prej 6 vendeve të arrijnë standardet e BE-së në 8 drejtime kryesore dhe 40 nënfusha. Ekspertët pohojnë se anëtarësimi në BE, pa u afruar me standardet, rrezikon të thellojë plagën emigracionit.

Teksa Shqipëria synon të anëtarësohet në Bashkimin Europian brenda vitit 2030, vendit i duhen dekada, madje në drejtimet kryesore, arsim, shëndetësi dhe qeverisje po bëhen hapa pas, duke thelluar më tej hendekun, në vend që ta ngushtonim.

Ndryshe nga shtetet e pjesës lindore të Europës, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë përparuar njësoj në ekonomi, demokraci, qeverisje dhe infrastrukturë. Diku regjimet autokratike dhe diku luftërat pas viteve 1990 kanë lënë pasoja që ende nuk po kapërcehen.

Instituti i Vjenës për Studime Ndërkombëtare (WIIW) ka ndërtuar platformën e konvergjencës, e cila tregon se sa vite i duhen secilit prej 6 vendeve të arrijnë standardet e BE-së në 8 drejtime kryesore dhe 40 nënfusha.

Duke analizuar secilin nga komponentët shihet se në 14 fusha, Shqipëria po bën hapa pas, në 4 prej tyre ka arritur standardet dhe në 22 të tjera duhen dekada deri mbi 100 vite për të arritur BE.

Anëtarësimi në BE pa arritur standardet rrezikon të thellojë më tej plagën e migracionit, thotë Selami Xhepa, Ekspert i Ekonomisë.

Sipas tij, përvojat e anëtarëve më të rinj të BE tregojnë për valë emigracioni, të cilat stimulohen nga lëvizja e lirë dhe hendeku i thellë i nivelit të jetesës.

Pavarësisht efekteve pozitive dhe negative që ka anëtarësimi në BE, qytetarët dhe bizneset shqiptare e dëshirojnë më shumë se çdo vend tjetër.

Barometri i Ballkanit 2024 evidentoi se 77% e qytetarëve shqiptarë mbështesin integrimin e plotë të vendit në BE, niveli më i lartë nga 6 vendet.

Shqipëria po bën hapa pas në një të tretën e fushave

Procesi i konvergjencës së Shqipërisë me Bashkimin Europian po përballet me pengesa serioze në 14 fusha kyçe nga 40 në total, ose 35% e tyre, sipas të dhënave nga platforma Converge2.eu.

Të klasifikuara si divergjencë “diverging”, këto fusha përfshijnë pensionet mesatare, hendekun gjinor në punësim, si dhe shpenzimet publike për shëndetësi dhe arsim, që mbeten dukshëm nën nivelin e vendeve të BE-së.

Po ashtu, jeta e qytetarëve shqiptarë reflekton një mungesë përmirësimi në jetëgjatësi, numrin e mjekëve për banor dhe rezultatet në testin ndërkombëtar PISA, që masin cilësinë e arsimit.

Në fushën e mjedisit dhe energjisë, Shqipëria po largohet nga BE në tregues si intensiteti i karbonit dhe riciklimi i mbetjeve, duke treguar se rritja ekonomike nuk po shoqërohet me politika të gjelbra.

Në aspektin e qeverisjes dhe institucioneve, tre tregues të rëndësishëm si llogaridhënia, stabiliteti politik dhe cilësia rregullatore kanë regjistruar prirje negative.

Kjo tregon dobësim të perceptimit për qeverisjen demokratike dhe të kapacitetit institucional për reforma.

Në sektorin e ekonomisë dhe infrastrukturës, eksportet e shërbimeve ICT dhe rrjeti hekurudhor janë dy fusha të tjera ku hendeku me BE-në është zgjeruar.

Të dhënat tregojnë se Shqipëria ka përparuar në disa tregues makroekonomikë dhe digjitalizim, por po humbet terren në indikatorët që lidhen me cilësinë e jetës, qeverisjen dhe kapitalin njerëzor, elemente thelbësore për konvergjencën reale me Bashkimin Europian.

Në masat kryesore që kanë të bëjnë me cilësinë e jetës, Shqipëria po zgjeron më tej hendekun me BE-në, në vend që ta ngushtojë. Ky është zhvillimi më i rrezikshëm për qëndrueshmërinë e popullsisë së vendit.

 

4 fushat që kemi arritur standardet

Nga 48 fusha të marra në analizë, në 4 prej tyre ose 8% kemi arritur standardet e BE-së. Sipas të dhënave të platformës Converge2.eu, Shqipëria ka arritur konvergjencë të plotë me Bashkimin Europian në 4 fusha, në përdorimin e shërbimeve elektronike të qeverisë (e-government) që vlerësohet 21% mbi mesataren e BE; qasja e familjeve në internet që është 4% mbi mesataren e BE-së; përqindja e fuqisë punëtore me arsim të lartë dhe përdorimi i energjisë së rinovueshme.

Këta tregues tregojnë se Shqipëria ka përparuar ndjeshëm në digjitalizim dhe energjitë e pastra, fusha që po e afrojnë vendin me standardet e BE-së më shpejt se sektorët e tjerë.

 

Ekonomia, duhen 53 vite për të arritur BE

Në fushën ekonomike, Shqipërisë i duhen 53 vite për të arritur standardet e BE-së. Shqipëria renditet më mirë se Mali i Zi me 72 vite, Maqedonia e Veriut me 59 vite, Bosnja dhe Kosova (të dyja mbi 100 vjet), por më keq se Serbia, së cilës i duhen vetëm 35 vite.

Ecuria e Shqipërisë në aspektin ekonomik tregon zhvillim të pamjaftueshëm për të përshpejtuar afrimin me BE-në, teksa Serbia, me bazë industriale më të fortë dhe investime të huaja më të larta, ruan avantazhin në këtë drejtim.

Të dhënat tregojnë hendek të madh në shumicën e treguesve. Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë arrin vetëm 43% të mesatares së BE-së, çka do të kërkonte rreth 30 vite për t’u arritur. Paga mesatare bruto është 769 euro, që përbën 25% të nivelit të BE-së dhe do të duheshin rreth 46 vite për konvergjencë.

Paga minimale, me rreth 400 euro, përfaqëson 32% të nivelit europian dhe kërkon 40 vite për t’u barazuar.

Pensionet mesatare janë më problematike, vetëm 184 euro në muaj, ose 8% e mesatares së BE-së tregojnë prirje divergjente, pra Shqipëria po largohet nga standardet europiane në këtë aspekt.

Ndërsa produktiviteti (prodhimi për punonjës) është 42% e mesatares së BE-së dhe do të duheshin 43 vite për arritjen e saj. Shqipëria po ecën me ritëm shumë të ngadaltë drejt standardeve ekonomike të BE-së, veçanërisht në të ardhurat e individëve dhe pensionet.

Varfëria kërkon 100 vite, pabarazia 71 vite

Në treguesit socialë, Shqipëria ka një nga performancat më të dobëta të rajonit, me 71 vjet deri në arritjen e standardeve të BE-së, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut janë më keq.

Ndërsa më mirë paraqitet Kosova me 19 vite dhe Serbia me 51 vjet, të cilat tregojnë përparim më të ndjeshëm në politikat sociale.

Kjo tregon se emigracioni i lartë, pabarazitë dhe mungesa e shërbimeve sociale të qëndrueshme po e zvarrisin Shqipërinë në këtë aspekt.

Shkalla e papunësisë është 9%, që përbën vetëm 64% të nivelit mesatar të BE-së. Në këtë ritëm, vendit do t’i duhen rreth 25 vjet për ta arritur standardin europian.

Nga ana tjetër, shkalla e punësimit është relativisht e lartë, 69%, që përkon me 97% të mesatares së BE-së dhe mund të arrijë nivelin e BE-së brenda vetëm dy vitesh, nëse trendet aktuale vazhdojnë.

Situata më e vështirë shfaqet te treguesit i varfërisë. Shqipërisë do t’i duhen më shumë se 100 vjet për të arritur standardin europian. Edhe pabarazia mbetet e lartë me një afat prej 71 vitesh për të qenë në nivelin e BE-së.

Ndërsa për hendekun gjinor në punësim, afrohemi në 73% të nivelit të BE-së. Ky tregues po ecën në të kundërt dhe konsiderohet “divergjent”, që do të thotë se diferenca midis burrave dhe grave në tregun e punës nuk po ngushtohet, por përkundrazi, po zgjerohet.

Në tërësi, të dhënat tregojnë se për disa fusha si punësimi, Shqipëria po afrohet me BE-në, por për treguesit që lidhen me cilësinë e jetës dhe barazinë sociale, ritmet e përmirësimit mbeten shumë të ngadalta.

 

Shëndetësia, hendeku po thellohet

Shqipëria shpenzon vetëm 3% të PBB-së për shëndetësi, që përbën 43% të nivelit mesatar të BE-së. Ky tregues konsiderohet “divergjent”, që do të thotë se diferenca me BE-në nuk po ngushtohet, por po mbetet e qëndrueshme ose madje po zgjerohet.

Në shëndetësi, Shqipërisë i duhen 39 vite, Maqedonisë së Veriut vetëm 7 vjet, Malit të Zi, 17 vite. Kosovës i duhen 41 vite, Bosnjës 89 vite, ndërsa Serbia duket se është shumë më keq me mbi 100 vite për të arritur BE-në.

Kjo tregon se përmirësimet në sistemin shqiptar të shëndetësisë kanë dhënë efekt, ndonëse në cilësi dhe shtrirje territoriale mbetet ende shumë për të bërë.

Jetëgjatësia është 80 vjet, pra 98% e mesatares së BE-së, një tregues mjaft i lartë. Megjithatë, edhe pse afër nivelit europian, ritmi i përmirësimit është divergent, që do të thotë se BE-ja po avancon me shpejtësi më të madhe.

Shqipëria ka 6 vdekje për 1,000 lindje të gjalla foshnjore, që është 54% e mesatares së BE-së. Për këtë tregues, llogaritet se do të duhen 14 vite për të arritur nivelin e BE-së, nëse trendet aktuale të përmirësimit vazhdojnë.

Në Shqipëri ka 365 shtretër për çdo 100,000 banorë, ose 71% e mesatares së BE-së. Projektohet se do të duhen rreth 11 vite për të arritur nivelin europian, me kusht që ritmi i rritjes të mbetet konstant.

Vendi ka 23 mjekë për çdo 10,000 banorë, që përfaqëson vetëm 55% të mesatares së BE-së. Edhe ky tregues është divergjent, pra diferenca me BE-në nuk po zvogëlohet, duke reflektuar mungesë të kuadrit mjekësor dhe emigrim të lartë të profesionistëve.

Të dhënat tregojnë se pavarësisht disa arritjeve në jetëgjatësi, Shqipëria mbetet shumë pas BE-së në investimet publike dhe në numrin e mjekëve, dy fusha kyçe për konvergjencën në standardet shëndetësore europiane.

Arsimi, Shqipëria hapa pas

Standardet në fushën e arsimit tregojnë se Shqipëria po e thellon më tej hendekun me BE-në në vend që ta ngushtojë.

Dy fushat me prapambetje janë shpenzimet publike në arsim me vetëm 3% të PBB-së ose 57% e mesatares së BE-së, duke u larguar më tej nga objektivat e konvergjencës. Edhe rezultatet në testet ndërkombëtare PISA (376 pikë) mbeten shumë më poshtë mesatares europiane dhe janë në prirje divergjente.

Në arsim, Shqipëria, si shumica e vendeve të rajonit (përfshirë Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë), është në divergjencë, që do të thotë se po largohet nga standardet europiane. Në këtë aspekt vetëm Bosnja renditet më mirë me 18 vite dhe paraqet një përmirësim më të madh në këtë fushë.

Arsimi duket të jetë pika e përbashkët më problematike për rajonin, e lidhur ngushtë me mungesën e reformave strukturore dhe të investimeve të qëndrueshme në kapitalin njerëzor.

Nga ana tjetër, përfshirja në arsimin e lartë arrin në 65% të nivelit të BE-së, me një hendek që mund të mbyllet brenda 19 vitesh nëse ritmet aktuale të Shqipërisë vijojnë. Por përqindja e popullsisë me diplomë universitare është ende e ulët, vetëm 20%, dhe do të duhen rreth 47 vjet për të arritur mesataren e BE-së.

Në aspektin pozitiv, pjesa e forcës së punës me arsim të lartë tashmë ka arritur 104% të mesatares së BE-së. Ndërkohë, treguesi më problematik mbetet shkalla e të rinjve jashtë arsimit, punës apo trajnimit (NEET), e cila është 23% dhe vetëm 40% e nivelit të mesatar të BE-së dhe parashikohet të kërkojë më shumë se një shekull për të arritur konvergjencën.

Të dhënat tregojnë se prioritetet e politikave në arsim duhet të përqendrohen te rritja e financimeve publike, përmirësimi i cilësisë së arsimit bazë dhe krijimi i politikave konkrete për përfshirjen e të rinjve në arsim ose punë.

Mjedisi, një shekull pas BE-së

Në përgjithësi, Shqipëria ka arritje të mira në përdorimin e energjisë së rinovueshme, por ngec në treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë.

Përdorimi i energjisë së pastër arrin 97%, që përbën 167% të mesatares së BE-së, duke e vendosur vendin në fazë konvergjence.

Megjithatë, për sa i përket efikasitetit të energjisë, Shqipëria është vetëm në 58% të nivelit të BE-së dhe do t’i duhen rreth 84 vite për të arritur standardet europiane.

Në fushat e mjedisit, Shqipërisë i duhen mbi 100 vjet për të arritur standardin e BE-së dhe është në të njëjtin nivel me shumicën e vendeve të tjera të rajonit.

Kjo nënkupton se i gjithë rajoni ka vonesa serioze në menaxhimin e ndotjes, energjisë së pastër.

Ndotja mbetet problemi më serioz. Reduktimi i numrit të vdekjeve të parakohshme nga ndotja do të kërkojë rreth 60 vite përmirësim. Teksa intensiteti i karbonit dhe menaxhimi i mbetjeve po ndjekin një drejtim të kundërt nga BE-ja, të kategorizuara si divergjencë.

Shqipëria prodhon më shumë karbon për çdo njësi ekonomike dhe riciklon vetëm 24% të mbetjeve, një nivel dukshëm më i ulët se ai europian.

 Nga 5 nënfusha të qeverisjes, në 3 hapa pas

Vendet e Ballkanit mbeten pas standardeve të BE-së në shumë fusha edhe për shkak të qeverisjes së dobët në këto tre dekadat e fundit.

Në qeverisje, Shqipërisë i duhen 64 vite për të arritur standardin e BE-së, teksa shtetet e tjera ballkanike, Bosnja dhe Serbia, kërkojnë një kohë edhe më të gjatë, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut performojnë më mirë në këtë drejtim.

Kosova është më mirë se të gjitha vendet me një hendek në qeverisje me vetëm 26 vite.

Shqipëria arrin mesatarisht rreth 74–80% të nivelit të BE-së për treguesit e transparencës, stabilitetit politik dhe kuadrit rregullator, po vendi ynë në vend që të përparojë, po bën hapa pas në këto fusha, thekson studimi i Institutit të Vjenës.

Për efektivitetin e qeverisjes (“Government Effectiveness”) vendi ndodhet në 80% të nivelit të BE-së dhe do t’i duhen rreth 15 vite për të arritur standardet e saj. Situata është më problematike në fushën e sundimit të ligjit dhe kontrollit të korrupsionit, ku Shqipëria është përkatësisht në 66% dhe 63% të mesatares së BE-së, me një vlerësim se duhen 25 dhe 31 vite për të kapur nivelin europian.

Të dhënat tregojnë se Shqipëria ka bërë disa përmirësime në aspektin e efikasitetit qeveritar, por mbetet shumë pas në forcimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër korrupsionit. Shumica e treguesve të tjerë, veçanërisht ata që lidhen me liritë politike dhe stabilitetin, janë në stanjacion ose në prirje negative ndaj mesatares së BE-së.

 Digjitalizimi, Shqipëria afër BE-së

Fusha ku Shqipëria ka përparuar ndjeshëm në afrimin e standardeve me BE-në është digjitalizimi, me vetëm 9 vjet diferencë nga BE-ja, një tregues ku na rendit shumë më mirë se të gjitha vendet e tjera të rajonit, përveç Serbisë që është vetëm 4 vjet larg BE-së. Kjo reflekton kryesisht reformën e shërbimeve e-Albania dhe zgjerimit të aksesit në internet të popullatës.

Pothuajse të gjitha familjet shqiptare (98%) kanë akses në internet, një nivel që madje e tejkalon mesataren e BE-së me 104%, ndërsa përdorimi i shërbimeve elektronike të qeverisë është 121% e mesatares europiane, duke treguar përparim të dukshëm në këtë drejtim.

Megjithatë, pjesëmarrja e bizneseve në hapësirën dixhitale mbetet më e kufizuar, vetëm 58% e ndërmarrjeve kanë një faqe interneti dhe sipas vlerësimeve, do të duhen rreth 14 vjet për të arritur nivelin e BE-së.

Në tregtinë ndërkombëtare të shërbimeve të TIK-ut, Shqipëria është shumë pas. Eksportet e TIK përbëjnë vetëm 1% të totalit ose 18% e mesatares europiane, çka tregon një prirje divergjente. Edhe vlera e shtuar në sektorin e TIK-ut është e ulët (3% e PBB-së, ose 53% e nivelit të BE-së), dhe do të kërkojë rreth 56 vjet për konvergjencë.

Punësimi në këtë sektor është po ashtu i kufizuar, me vetëm 2% të forcës së punës, që përfaqëson 41% të nivelit të BE-së dhe kërkon rreth 44 vjet për të arritur standardet europiane.

Teksa Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm në aksesin në internet dhe në shërbimet publike online, ajo mbetet shumë pas në zhvillimin ekonomik të sektorit të TIK-ut dhe në eksportet e tij, ku ende mungon konkurrueshmëria dhe kapaciteti për rritje të qëndrueshme.

Infrastruktura, një shekull larg BE-së

Shqipërisë, ashtu si dhe vendeve të tjera të Rajonit, i duhet më shumë se një shekull për të arritur standardet e BE-së për shkak të mungesës së hekurudhave dhe dendësisë së ulët të rrjetit rrugor etj.

Aktualisht, vendi ynë ka mungesë të theksuar në shumicën e treguesve të infrastrukturës. Autostradat janë vetëm 9 kilometra për çdo 10 mijë kilometra katrorë, rreth 4% e mesatares së BE-së dhe për ta arritur këtë nivel do të duheshin mbi 100 vjet.

Edhe rrjetet rrugore janë të pazhvilluara, me 1,254 kilometra për 10 mijë kilometra katrorë (vetëm 8% e nivelit të BE-së), që do të duheshin mbi një shekull përputhje.

Rrjeti hekurudhor është në situatë edhe më problematike. Vetëm 88 kilometra për 10 mijë kilometra katrorë, që përfaqëson 10% të mesatares europiane, por këtu tendenca është negative, pasi infrastruktura hekurudhore po largohet nga standardet e BE-së në vend që të afrohet.

Në aspektin ajror, pozita është disi më e favorshme. Numri i aeroporteve për njësi sipërfaqeje përbën 24% të mesatares së BE-së, dhe me ritmet aktuale mund të arrihet barazia brenda 33 vjetësh.

Ndërsa kapaciteti i instaluar elektrik është 1,017 megavat për 10 mijë kilometra katrorë, rreth 25% e mesatares së BE-së, por edhe këtu progresi është i ngadaltë dhe kërkon më shumë se 100 vjet për të arritur standardet europiane.

Të dhënat theksojnë një hendek shumë të madh në infrastrukturë, veçanërisht në rrugë, autostrada dhe energji, ndërsa transporti hekurudhor shënon hapa pas në krahasim me BE./ Monitor


Shtuar 8.11.2025 08:07