Eksportet shqiptare të shërbimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit vijojnë të jenë ndër më të ulëtat në Ballkanin Perëndimor. Në vitin 2024, ato arritën në 222 milionë euro, duke përbërë vetëm 3,7% të eksporteve totale të shërbimeve TIK në rajon.
Të lidhura
None found
Në vlerë absolute, Shqipëria u rendit para vetëm Malit të Zi, i cili regjistroi një nivel më të ulët eksportesh.
Kur këto të dhëna vendosen përballë madhësisë së ekonomisë, pozicioni i Shqipërisë është edhe më i dobët. Eksportet TIK përfaqësuan 0,89% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, përqindja më e ulët në Ballkanin Perëndimor dhe rreth katër herë më pak se mesatarja rajonale prej 3,57%.
Të dhënat janë publikuar në studimin “Aftësitë e TIK-ut në Ballkanin Perëndimor”, hartuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal. Sipas raportit, gjashtë ekonomitë e rajonit eksportuan rreth 6 miliardë euro shërbime TIK gjatë vitit 2024.
Serbia kryeson ndjeshëm këtë treg, me eksporte që kapën rreth 4,13 miliardë euro ose 68,8% të totalit rajonal. Në krahasim me Shqipërinë, vlera e eksporteve serbe ishte rreth 19 herë më e madhe.
Maqedonia e Veriut u rendit e dyta me 632 milionë euro, që përbënin 10,5% të totalit. Pas saj erdhën Bosnjë-Hercegovina me 470 milionë euro dhe Kosova me 348 milionë euro. Shqipëria zuri vendin e pestë, ndërsa Mali i Zi u pozicionua i fundit me 202 milionë euro dhe një peshë prej 3,4% në eksportet rajonale.
Për sa i përket raportit me PBB-në, Shqipëria qëndroi sërish në fund të renditjes. Në Serbi, eksportet TIK përbënin 4,96% të PBB-së, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 4,03%. Kosova kishte një peshë prej 3,37%, Mali i Zi prej 2,65% dhe Bosnjë-Hercegovina prej 1,79%.
Të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor rezultuan me bilanc pozitiv në tregtinë e shërbimeve TIK. Teprica e përbashkët arriti në 4,43 miliardë euro, ndërsa vetëm Serbia kontribuoi me rreth 3,23 miliardë euro të këtij suficiti.
Shqipëria realizoi eksporte neto në vlerën 119 milionë euro. Raporti mes eksporteve dhe importeve të shërbimeve TIK ishte 2,16, që nënkupton se eksportet ishin pak më shumë se dy herë më të larta se importet.
Megjithatë, ky tregues ishte më i ulët se mesatarja rajonale prej 3,8 dhe e kalonte vetëm raportin e Malit të Zi, i cili ishte 1,61. Serbia kryesoi me eksporte 4,59 herë më të larta se importet, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 3,48, Maqedonia e Veriut me 3,21 dhe Kosova me 2,93./ Monitor/
