Shqipëria po plaket, rritet numri i pensionistëve/ Pasojat në zhvillimin ekonomik e social të vendit

Trendet demografike po përkeqësohen nga viti në vit, me rënie të fortë të popullsisë së re në moshe dhe rritje të numrit të pensionistëve.

Të dhënat më të fundit nga INSTAT për vitin 2024, tregojnë një rritje të konsiderueshme të numrit të qytetarëve mbi moshën 60-vjeç, ndërkohë që numri i përgjithshëm i popullsisë është me rënie.

Grup-mosha mbi 60-vjeç, ka arritur në 691,788 persona, ose 30% e popullsisë totale prej 2.36 milionësh më 2024.

Vetëm një vit më parë, në vitin 2023, kjo përqindje ishte 28.15%, ndërsa popullsia mbi 60-vjeç përbëhej nga 673,037 persona. Në vitin 2011 popullsia mbi 60-vjeç, ishte sa 15% e totalit të popullsisë.

Në grup- moshën 65–69-vjeç, janë shtuar me mbi 5,800 persona në vitin 2024 në krahasim me 2023. Në grup-moshën 75–79-vjeç, ka rritje prej më shumë se 7,300 personash.

Grup-mosha mbi 85-vjeç, është rritur nga 36,840 mijë në 2023 në 39,996 mijë, një tregues i rritjes së jetëgjatësisë.

Në të kundërt, popullsia e përgjithshme u tkurr me mbi 27 mijë banorë në vetëm një vit, nga 2,390,942 në 2,363,314 me rënie 1.2 %, ndërsa grup-mosha 0-29-vjeç u tkurr tre herë më shumë me 30 mijë persona ose mbi 4%.

Me një numër më të madh pensionistësh dhe një numër potencialisht më të ulët kontribuesish (për shkak të emigrimit dhe rënies së lindshmërisë), qëndrueshmëria financiare e skemave të pensioneve është në pikëpyetje, ndërsa sistemi shëndetësor do të përballet me ngarkesë.

Ekspertët paralajmërojnë se në mungesë të politikave të qarta për përballimin e plakjes, Shqipëria mund të përballet me pasoja të pakthyeshme në zhvillimin e saj ekonomik dhe social.

Ndër masat që rekomandohen janë nxitja e lindshmërisë përmes mbështetjes për familjet, kthimi i emigrantëve të rinj dhe investime në teknologji dhe kujdes për të moshuarit.

Shqipëria është tashmë në fazën e tranzicionit demografik, drejt një shoqërie me përqindje të lartë të të moshuarve.

Politikat publike duhet të përshtaten me këtë realitet të ri, duke garantuar mbrojtje sociale për të moshuarit dhe një sistem ekonomik që e përballon këtë tranzicion./Monitor


Shtuar 10.07.2025 08:42