Shqipëria nën ujë, Niko Peleshi: Jemi në gatishmëri, po monitorojmë situatën

Për shkak të motit të keq që ka përfshirë vendin tonë ditët e fundit, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi bën me dije se është mbledhur Komiteti i Mbrojtjes Civile.

Rreziku i përmbytjeve për shkak të reshjeve është më i lartë në në qarqet Shkodër, Lezhë, por edhe në bashkitë Tiranë, Durrës, Vlorë e Fier.

Peleshi: Komiteti i Mbrojtjes Civile u mblodh për të diskutuar rreth situatës së krijuar nga reshjet me intensitet të lartë gjatë orëve të fundit, veçanërisht në qarqet Shkodër, Lezhë, ku rreziku për përmbytje është edhe më i lartë, por edhe në bashkitë Tiranë, Durrës, Vlorë e Fier.

Me kryetarët e bashkive dhe Prefektët e këtyre qarqeve rakorduam planin e masave parandaluese dhe lehtësuese për menaxhimin e situatës edhe në orët në vijim, që sipas parashikimit të motit do të jenë me reshje të shumta. Jemi çdo minutë në monitorim të situatës. Ministria e Mbrojtjes, Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura janë në gatishmëri për çdo nevojë të pushtetit vendor dhe qytetarëve.

Nga ana tjetër, ministria e Mbrojtjes ka informuar lidhur me situatën në vend.

“Për qarkun Lezhë në Kurbin ka rënë rreth 15 mm shi, në Zadrimë 131 mm, kemi disa sipërfaqja të përmbytura në këto zona. Ka rreth 500 Ha të përmbytura. Në qarkun Shkodër ka përmbytje. Në Kukës ka pasur 4 mm shi. Në Fushë-Arrëz, raportohen dëmtime të rrugëve rurale dhe shkëputje te energjisë elektrike. Në Vaun e Dejës situata është pak më problematike, kanë dalë nga shtrati lumi Gjadër dhe Përroi Glinë. Është ndërprerë energjia elektrike.

Në bashkinë Malësi e Madhe ka dalë nga shtrati përroi. Po vijon puna për evakuimin e banorëve që rrezikohen nga përmbytjet. Jemi në gatishmëri dhe kemi mbledhur Komitetin e Emergjencave për të rritur gatishmërinë. Gjithë ministrat janë të informuar mbi situatën dhe do të organizohen për të përballuar çdo rast. Nga njëra anë është lajm i mirë për furnizimin me energji elektrike, pasi po mbushen hidrocentralet, por do përballemi dhe me situatë të pakëndshme që është përmbytja e tokave apo disa akseve.”, tha Peleshi.

Shtuar 20.11.2022 13:14