Shqipëria merr për të dytën herë Presidencën e Këshillit të Sigurimit, që nga 1 shtatori. Për mbajtjen për herë të dytë të presidencës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vizitën e parashikuar nga 14 deri 21 shtator, kreu i qeverisë do të jetë i shoqëruar edhe nga ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila prezantoi edhe dy ngjarjet që do të shënjojnë presidencën.
Pas Edi Ramës dhe Olta Xhaçkës, në Amerikë do të shkojë edhe presidenti Bajram Begaj, ku në 21 shtator do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të Asamblesë Parlamentare të Kombeve të Bashkuara. Në një dalje për mediat, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, u shpreh se marrja e Presidencës vjen në një moment të vështirë, kur bota përballet me një sërë krizash serioze.
Sipas saj, Presidenca e Këshillit të Sigurimit na jep mundësinë të përcaktojmë se cilat situata krizash marrin vëmendjen e posaçme të KS. Ndër të tjera ministrja theksoi edhe rëndësinë që ka kjo Presidencë.
Qershorin e vitit të kaluar, Shqipëria mori për herë të parë Presidencën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Programi i punës së asaj presidence u konsiderua se ndërlidhi më së miri përparësitë e vendit tonë në Këshillin e Sigurimit me zhvillimet më të rëndësishme të sigurisë ndërkombëtare, siç ishte lufta në Ukrainë, çështje më e ngutshme e momentit. Shtetet e Bashkuara e bënë Shqipërinë bashkëpenëmbajtëse të çështjes së Ukrainës në Këshillin e Sigurimit.
Me këtë rol në tryezën drejtuese të OKB, erdhi dhe një përgjegjësi e madhe por gjithashtu me dinjitet të lartë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, ndërsa për Shqipërinë nënkuptoi po ashtu ngjitjen e një shkalle të re në partneritetin gjithnjë e më të ngushtë me SHBA-në.