“Shqipëria me çmimet më të ulëta në rajon”, Rama sulmon Kovaçin për protestën e pedagogëve: Udhëhiqet nga një SHIK-s i ’97

Kryeministri Edi Rama, në një takim në Elbasan ka folur për krizën dhe inflacionin. Rama u shpreh se Shqipëria ka çmimet më të ulëta në rajon, pasi nuk ka rritur çmimin e energjisë.

Më tej Rama u ndal dhe te protesta e pedagogëve ku tha se udhëhiqet nga Sandër Kovaçi (Kreu i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve) duke e cilësuar SHIK-s dhe shtoi se bën për llogari të Sali Berishës.

“Në krahasim me rajonin, çmimet te ne janë rritur më pak për arsye se nuk është rritur energjia. Mjafton të shikosh të gjitha këto dyqane që keni ju në Elbasan, të cilat vazhdojnë t’ju shërbejnë, paguajnë të njëjtin çmim  energjia. Pavarësisht se nuk është rritur san ë rajon, prapë është problem dhe ne po bëjmë çmos që ta zbusim inflacionin. Kemi filluar me pensionistët dhe sot e kanë pensionin 10% më të lartë se para luftës, duke vazhduar me thellimin e skemës së mbështetjes së nënave me tre fëmijë, do ta dyfishojmë dhe për nënat me 2 fëmijë. Dhe kemi rritur pagat në mënyrë lineare. Dhe a e dini se kujt i janë rritur më shumë pagat, pedagogëve. Sepse 7% ua ka rritur qeveria, 8% universiteti duke shfrytëzuar autonominë. Nuk dua të them se kanë pagat që të çohen dhe të duartrokasin qeverinë, përkundrazi duhet të rriten dhe më shumë. Por shiko çfarë dua të them. Fatmirësisht shumica e pedagogëve nuk janë në protesta, por janë një pjesë e tyre nën drejtimin e një SHIK-si të vitit ’97, kohës më të zymtë të shtetit Shqiptar, që kërkojnë për llogari të non-gratës dhe çorbës së rublave të krijojnë idenë sesi po bëhet nami, sesi zihet një kusi e madhe me presion, me demek një protestë e madhe që nuk ekziston”, tha Rama./albeu.com


Shtuar 21.10.2022 17:11