Shqipëria i dhuron Ukrainës 1 milion euro

Në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve për Ukrainën, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Shqipëria do të japë 1 milionë euro në ndihmë të shtetit që është pushtuar nga Rusia prej më shumë se dy muajsh.

“Në këtë konferencë ne do të kontribuojmë me 1 mln euro, e di që nuk do të ndryshoje në përfundimin e luftës pra mënyrën si po zhvillohet lufta, por ne jemi të nderuar që jemi këtu.

Jam falenderues për kryeministrin polak që është pjesë e kësaj konference, për të bërë më të mirën për ukrainasit dhe të shohim sa më shpejt paqen”, tha Rama.

Në nisje të Konferencës së Donatorëve, kreu i qeverisë ka zhvilluar takime me kryeministrin e Polonisë, Mateusz Morawiecki dhe Kryeministren e Suedisë, Magdalena Andersson.

Konferenca, me pjesëmarrje të nivelit të lartë të kryetarëve të shteteve dhe qeverive i dedikohet qëllimit të përbashkët për të mbështetur reagimin humanitar të OKB-së në Ukrainë dhe për të diskutuar hapat e mëtejshëm drejt mbështetjes së përpjekjeve të Ukrainës për të trajtuar sfidat ekonomike të krijuara nga lufta.

Konferenca do të diskutojë masa konkrete për t’iu përgjigjur fatkeqësisë humanitare të shkaktuar nga lufta, ku sipas vlerësimit të OKB-së, miliona njerëz kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare, duke përfshirë ushqim, furnizime mjekësore dhe strehim.

Në përgjigje të rritjes së shpejtë të nevojave, OKB-ja ka ngritur strukturat e posaçme për të hyrë në zonat më të goditura në ndihmë për shpëtimin e jetëve, duke vendosur ekspertë, për koordinimin, angazhimin e komunitetit, mbrojtjen dhe menaxhimin e informacionit. Ndërkohë, që kërkohet më tepër nga komuniteti ndërkombëtar për t’iu përgjigjur intensitetit të këtyre nevojave.

Edhe Shqipëria do të radhitet përkrah vendeve kontribuuese, angazhim të cilin Kryeministri Edi Rama do ta shprehë gjatë kësaj Konference.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky do t’i drejtohet gjithashtu Konferencës përmes një videomesazhi.

Shtuar 5.05.2022 13:33