Meteorologia e njohur Tanja Porja, foli në “Dita jonë” se Shqipëria pritet të përballet me një përkeqësim të kushteve të motit pas dy ditësh, si pasojë e një qendre të re ciklonare që po fuqizohet mbi Italinë qendrore dhe që do të përfshijë gradualisht gjithë Ballkanin.
“Një qendër ciklonare është e pozicionuar prej disa ditësh në Italinë jugore, kryesisht Sicili, por përgjithësisht Italinë jugore. Kjo qendër ciklonare po zvogëlohet dhe zhvendoset drejt juglindjes, pra po vjen drejt jugut të Ballkanit. Megjithatë ka një spostim dhe një dhe një devijim të tillë që po i shkon Greqisë. Kjo stuhi e këtyre ditëve nuk na prek, por një tjetër stuhi ciklonare po fuqizohet me Mesdheun perëndimor. Ajo qendër ciklonare do të na prekë dhe neve, përgjithësisht Ballkanin, duke prodhuar reshje me intensitet të paktën mesatar për të gjithë territorin shqiptar”, tha meteorologia, Tanja Porja.
Sipas saj, aktualisht vendi ndodhet në kushte relativisht të qëndrueshme, me reshje të pakta dhe lokale, ndërsa temperaturat kanë shënuar rritje, duke arritur deri në 15 gradë Celsius në zonat jugperëndimore.
Por kjo situatë do të ndryshojë në fundjavë, kryesisht të dielën dhe të hënën, kur sistemi ciklonar do të sjellë reshje shiu me intensitet mesatar në të gjithë territorin.
“Deri të dielën reshjet janë krejt të pakta dhe të karakterit lokal, janë vetëm në disa zona ndërsa kjo qendër ciklonare sjell një sistem të fuqishëm me vranësira për të gjithë Ballkanin. Në disa zona të Ballkanit do të sjellë reshje shiu, në disa zona më në brendësi reshje dëbore. Në territorin shqiptar do të sjellë kryesisht shi, por edhe pak dëborë, duke qenë se temperaturat nuk është se do të luhaten shumë në vlerat minimale. Do të qëndrojnë rreth zeros dhe lehtësisht negative, gjë e cila reshjet i bën që të jenë dëbore vetëm në zonat e thella malore. Pjesa më e madhe do ketë reshje shiu”, shtoi ajo.
