Shqipëria dhe Mali i Zi në krye, si u kthye Ballkani në qendrën ndërkombëtare të trafikut të drogës

Nga Paul Della Sala “Opinione.it

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Kohë më parë Europol njoftoi se falë bashkëpunimit të 8 vendeve “karteli ballkanik ”, pra një rrjet trafikantësh droge, ishte çmontuar. Janë sekuestruar 2 ton kokainë. Sipas Europol, ishte rrjeti më i madh i trafikut të drogës në Evropë.

Pak ditë më parë, Eurojust dhe vetë Europol bashkëpunuan me drejtësinë italiane dhe atë shqiptare, duke çmontuar një rrjet të dytë trafikantësh droge. Aksionin e policisë, në të cilin u përfshinë 350 forcat policore, çoi në arrestimin e 30 të dyshuarve për krime të ndryshme.

Gjatë operacionit u sekuestruan para, makina, pushkë dhe armë të tjera.

Karteli i ri trafikonte kanabis, kokainë dhe heroinë nga Shqipëria në Itali. Prandaj është shumë e ndërlikuar të përpiqesh të luftosh ndaj mafiozëve që menaxhojnë kokainën, e cila mbërrin më pas në zemër të Evropës. “Rruga ballkanike” është përdorur prej kohësh për të sjellë heroinën afgane në Evropë përmes Turqisë.

Do të ishte e përshtatshme të hidhej një gur tjetër në moçalishten etike dhe gjeopolitike, si evropiane po ashtu edhe atë perëndimore. Edhe sikur të ishte vetëm një komb që prodhon dhe tregton një pjesë të madhe të heroinës në botë, Afganistani duhet të lirohet nga qeveria e tij kriminale.

E çfarë t’u thuash idiotëve të dobishëm, të dehur nga propaganda dhe media dhe kultura anti-njerëzore, përveçse që gratë dhe të gjithë afganët meritojnë diçka më të mirë sesa të jetojnë në një shtet që pretendon se është fetar, por që në fakt ndihmon hapur lulëzimin e tregtisë së vdekje?

Duke u rikthyer në Ballkan, ja cilat janë shifrat e trafikut të drogës në rajon, sipas të dhënave nga nisma globale kundër krimit të organizuar transnacional: 37 për qind e heroinës afgane kalon nëpër Ballkan (nëpërmjet Iranit dhe Turqisë ), Karteli ballkanik i krijuar nga serbi Darko Šarić kontrollon 1 për qind të tregtisë botërore të kokainës.

Dy klanet malazeze të Kotorrit (një qytet i mrekullueshëm turistik buzë Adriatikut, ku dikur mbërrinin oligarkët sovjetikë që bënin pushimet përballë proletarëve), ndajnë një pjesë të mirë të “tortës”, përpara se hynin në një luftë të egër mes tyre, tamam si kartelet meksikane.

70 për qind e drogës që qarkullon mes Zvicrës, Austrisë dhe Gjermanisë kontrollohet nga mafia shqiptare. Tragjedia i ka rrënjët larg në kohë, kur ekzistonte ende Jugosllavia. Për shembull, klani i Zemunit ishte i lidhur me Slobodan Miloshevic, presidentin e fundit të “Serbisë së Madhe” gjatë viteve 1989-1997.

Për të mos folur për Sreten Jocić, kreun e mafies serbe në Holandë, apo praninë e madhe të mafies italiane Sacra Corona Unita, të lidhur me kartelet e Ballkanit që nga vitet 1090 (nëse ne italianët do të ishim aq të aftë sa mafiet tona në eksportimin e produkteve të mira në vend të drogave, do të ishim më të pasurit në botë).

Ndërkohë duket se Ndrangheta kalabreze, e cila në Evropë është krahu i djathtë i kolumbianëve, e merr kokainë pa detyrimin për të paguar në momentin e dorëzimit të mallit. Ka të ngjarë që kartelet Medelin dhe rrethinave të bëjnë një ndarje të eksporteve të tyre në Mesdhe dhe Adriatik.

Megjithatë, arrestimi i Ardjan Cekinit, anëtar i klanit Bellocco, i ekstraduar në Itali nga Ballkani në vitin 2021, është dëshmi i përpjekjes së klaneve mafioze kalabreze për të depërtuar në rrugën ballkanike të trafikut të drogës. Cekini po përpiqej të trafikonte kokainë në Ballkan për llogari të familjes mafioze ku bënte pjesë.

Edhe vrasja e gazetarit sllovak Jan Kuciak dhe partneres së tij, e ndodhur në vitin 2018 nga dora e mafies italiane, tregon për praninë e klaneve më të rrezikshme sot në Itali, puljeze dhe kalabreze. Tek e fundit, lufta mes bandave të narkotrafikut në Ballkan është shumë e egër, por mbi të gjitha ka të bëjë me Serbinë, Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Zhdukja në vitin 2014 e 200 kilogramëve kokainë nga porti i Valencias në Spanjë, shkaktoi nisjen e Luftës së Kotorrit midis klaneve Skaljar dhe Kavac, pas arrestimit të Šarić. Në vitin 2016, në skenë del Aleksandar Stankovic, kreu i një grupi tifozësh të ekipit të Partizanit në Beograd (Jeniçerët).

Kështu zbulojmë lidhjen e ngushtë mes tifozëve të futbollit dhe krimit (e njëjta gjë ndodhi edhe me rekrutimin e milicive paraushtarake në mesin e tifozëve të futbollit në Serbi, gjatë luftërave të viteve 1990). “Heroi” më i famshëm i kësaj aleance mes botës së futbollit dhe asaj të krimit ishte Željko Ražnatović, Arkan, kreu i tifozëve të Crvena Zvezda, po ashtu nga Beogradi, i akuzuar për krime në ish-Jugosllavia nga Gjykata e Hagës, më pas i vrarë me një distinktiv policie në xhep.

Siç kujton në një artikull francezja “Le Monde” në shtator 2022, zbulimi i një “shtëpie tmerri”, ku trafikantët serbë të drogës torturonin rivalët e tyre, të rikujton atë që ndodh në Amerikën Latine, duke treguar se është më e lehtë të imitosh ata që presin fyte njerëzish sesa të kalosh një javë si infermiere vullnetare në Sudan.

Ndërkohë, Shqipëria ka lëshuar në hapësirë 2 satelitë ​​për “kontroll territori”. Aktiviteti i tyre ka të bëjë me mbikëqyrjen e kultivimit të marijuanës në vend, dukuri që është aq e përhapur sa të shmangë importet nga vendet e ngrohta.

Të dhënat nga raporti Gi-Toc tregojnë se plantacionet (pak a shumë të fshehura) të marijuanës krijohen në bashkëpunim me rrjetin e trafikantëve të drogës që operojnë dhe tregtojnë mes Ballkanit dhe Evropës. Praktikisht, përballë brigjeve tona kemi të njëjtin përbindësh që ekziston në Afganistan: është më mirë të kultivohet drogë, sepse ajo të jep shumë fitim, dhe ka tashmë nga ata që kujdesen për transportin e mallit.

Sigurisht, Shqipëria ka një pozicion perfekt për të arritur në brigjet italiane dhe për të importuar drogë, madje më të mirë se Greqia. Në veri, Austria dhe Gjermania janë afër, po ashtu si Çekia dhe Sllovakia. Në këtë drejtim, mjafton të shikoni raportin e agjencisë evropiane për trafikun e drogës. /albeu.com


Shtuar 31.01.2023 09:39