Shqipëria dhe Greqia thellojnë bashkëpunimin doganor, nisma të përbashkëta digjitale

Drejtori i Përgjithshëm Doganave, Genti Gazheli, zhvilloi një takim zyrtar në Athinë me homologun e tij grek, Dimitrios Bourikos, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy administratave doganore.

Takimi dypalësh u përqendrua në thellimin e bashkëpunimit në menaxhimin e kufijve, lehtësimin e tregtisë dhe ndarjen e praktikave të mira në kuadër të shkëmbimit të informacionit.

Të lidhura

None found

Të dyja palët vlerësuan bashkëpunimin pozitiv në katër pikat doganore tokësore që lidhin dy vendet tona, teksa konfirmuan progresin e bërë sa i përket bashkëpunimit doganor dhe praktikave më të mira në kuadër të shkëmbimit të informacionit.

Gjatë këtij takimi u ra dakord për të zhvilluar më tej iniciativat e koordinuara të menaxhimit të kufirit, si dhe për të rritur ndërgjegjësimin midis shërbimeve doganore. Palët po ashtu ranë dakord për përditësimin e marrëveshjeve të orarit të punës, bazuar në flukset aktuale tregtare.

Konkretisht, u ra dakord për një zgjatje me 2 orë të orarit për kamionët bosh në pikat kufitare Kakavijë dhe Kapshticë, si dhe një zgjatje me 1 orë në pikën kufitare Qafë Botë. Delegacionet riafirmuan mbështetjen ndaj nismës së Korsive të Gjelbra të CEFTA-s.

Pala greke ndau përvojën me Maqedoninë e Veriut për aplikacionin SEED dhe shprehu gatishmëri për ta zbatuar edhe me Shqipërinë.

Në këtë kuadër, u dakordësua nënshkrimi i një memorandumi mirëkuptimi për krijimin e një korsie të gjelbër në Pikën Kufitare Kakavijë.

Një tjetër temë kyçe ishte digjitalizimi i shërbimeve doganore. Pala greke prezantoi projektin TALOS, si pjesë e Sistemit të Integruar të Kufijve Digjitalë, ndërsa u mirëprit interesi i palës shqiptare për bashkëpunim teknologjik dhe për implementimin e sistemeve të tipit “single window” dhe përpunimit pa letër.

Në përfundim të takimit, Gazheli dhe Bourikos theksuan rëndësinë e dialogut konstruktiv dhe riafirmuan angazhimin për të thelluar bashkëpunimin dypalësh doganor, në funksion të sigurisë kufitare, integrimit rajonal dhe lehtësimit të tregtisë ndërkufitare.


Shtuar 2.06.2025 16:36