“Shqipëria Bëhet” feston 2-vjetorin, Lapaj: Ishim 25 ëndërrimtarë që i hymë detit në këmbë!

Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka festuar sot dyvjetorin e themelimit me një ceremoni ku morën pjesë themelues, anëtarë dhe mbështetës të saj nga Shqipëria dhe diaspora.

Kreu i lëvizjes, Adriatik Lapaj, në fjalën e mbajtur gjatë aktivitetit, kujtoi fillimet e këtij rrugëtimi, të nisur nga një grup prej 25 personash që besuan se ndryshimi është i mundur.

Ai pranoi se në këto dy vite nuk kanë munguar gabimet, por theksoi se ato janë dëshmi përpjekjeje dhe jo dështimi.

“Dy vite më parë, nga Mirdita e vlerave nisëm një rrugëtim idealesh. Ishim 25 ëndërrimtarë që i hymë detit në këmbë. Në 18 muaj organizuam dhjetëra takime brenda dhe jashtë vendit. Gabimet tona janë prova se jemi gjallë dhe nuk kemi hequr dorë,” u shpreh Lapaj.

Ai iu drejtua qytetarëve me një thirrje për guxim dhe vetëbesim.

“Guxoni të mos ndaloni dhe të shkundni këdo që mendon se nuk ka shpresë. Sa më shumë na lufton sistemi, aq më shumë duhet të luftojmë. Nga guximi juaj sot, mund të qeshin fëmijët nesër.”

Lapaj përmbylli fjalën e tij me mesazhin se Shqipëria mund të ndërtohet ndryshe, përmes përpjekjes, vullnetit dhe një vizioni të përbashkët për një të ardhme më të mirë.


Shtuar 18.10.2025 19:49