“Shqipëri ka shumë arsye për të protestuar”, Qori shpjegon pse nuk u bashkua me protestën e PD-së: Po të çmendesha dhe të ndaj tribunën me Berishën, do të më konsideronin tradhtar

Kryetari i “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori shpejgoi se pse partia që ai drejton nuk iu bashkua protestës së PD-së dhe aleatëve të saj sonte te kryeministria. Duke folur në një lidhje LIVE në emisionoin “Të Paekspozuarit” në MCN, ai tha se nëse do të ishte në krah të Berishës, do të shkelte mbi parimet e tij dhe të forcës së tij politike.

Qori shtoi më tej se nëse do bënte një veprim të tillë, të gjithë mbështetësit e “Lëvizjes Bashkë” do konsideronin tradhtar të të gjitha parimeve. Ai shtoi ndër të tjera se Shqipëri sot ka shumë arsye për të protestuar, madje ka edhe më shumë arsye për të protestuar se ç’ka njerëz nëpër protesta. Qori theksoi se ka korrupsion, ka kapje të shtetit, ka kriminalizim të gjithanshëm të institucioneve publike.

“Unë nuk i dëgjoj fare me thënë të drejtat, thirrjet e faktorëve të vjetër politikë dhe të kompromentuar. Nuk bie dakord që po të ishim edhe ne sot me Sali Berishën, do të kishte më shumë njerëz në shesh. Se sikur unë të çmendesha edhe të ndaja të njëjtën tribunë apo të njëjtin shesh me Sali Berishën, mua nuk do më vinte asnjëri, as nga mbrapa, as në krahë.

Të gjithë mbështetësit e “Lëvizjes Bashkë” do të më konsideronin tradhtar të të gjitha parimeve që unë kam mbajtur deri tani në politikë, që është lufta e pakompromis ndaj çdo faktori të korruptuar e destruktiv të shoqërisë shqiptare kundër gjithë atyre që i shërbejnë oligarkisë ekonomike.

Tani sot Shqipëri ka shumë arsye për të protestuar, madje ka edhe më shumë arsye për të protestuar se ç’ka njerëz nëpër protesta. Ka korrupsion, ka kapje të shtetit, ka kriminalizim të gjithanshëm të institucioneve publike.

Ky rasti i fundit i AKSHI tregon diçka që është vërtetë çmëritëse, ku arrin puna deri në rrëmbim personi. Atë biznesmenin, po të mos e pranonte që të tërhiqej nga tenderi, atë të shkretin kushedi do e gjenim copa-copa ne sot, se rrëmbimi është për të të bindur të bësh diçka përndryshe, do të ekzekutojë në mënyrë krejt mafioze.

Pak më parë po dëgjoja një prokuror të antimafias italiane, Nikola Grateri, i famshëm, i cili kur fliste për mafian shqiptare thoshte që është e dyta në Evropë mbas Ndragetas. Sepse, thoshte Grateri, vjen nga një shtet ekstremisht i korruptuar, ku pastrohen paratë në përmasa të jashtëzakonshme. Shtet ekstremisht i korruptuar, pastrim shumë i madh parash. Sjell që mafia shqiptare sot të jetë shumë e fortë, jo vetëm në Shqipëri, po edhe në Evropë.

Pjesë e kësaj mafias, pjesë e këtij sistemi të kompromentuar. Mafiozë, oligarkë, sigurisht, është qeveria në radhë të parë dhe Edi Rama si kryesues i saj. Siç iu thashë, Shqipëri ka shumë arsye për të protestuar, ka arsye për t’u marrë me efektet e korrupsionit. Pensionistët nuk blejnë dot një shishe kos, ndërkohë që ai zotëria Agasi harxhonte tre milionë euro vetëm verë nga paratë të cilat janë bërë brenda ditës përmes aferave korruptive dhe ku përgjegjës janë të gjitha hallkat e shtetit,” tha Qori, ndër të tjera.


Shtuar 22.12.2025 21:47

Tags: ,