Kryeministri Edi Rama priti mëngjesin e sotëm Presidentin e Republikës Franceze, Emmanuel Macron.
Pritet që dy liderët pasi të zhvillojnë një takim kokë më kokë të nënshkruajnë disa marrëveshje në fushën e mbrojtjes, turizmit dhe prodhimit të energjisë.
“Kryeministri Edi Rama bashkë me Presidentin e Republikës Franceze, Emmanuel Macron nënshkruajnë Memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për krijimin e një projekti gjithëpërfshirës për turizmin e qëndrueshëm në rajonin e Korçës”, njofton Kryeministria.
Më pas, rreth orës 10:00 pritet që Macron dhe Rama të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Të dy udhëheqësit do të flasin edhe në forumin ndërkombëtar “Iniciativa e Investimeve të së Ardhmes”, ku do të jetë i pranishëm edhe dhëndri i Trump, Jared Kushner si dhe ish-kryeministri italian Matteo Renzi.
Presidenti Macron mbërriti dje në Tiranë në kuadër të punimeve të Samitit të VI të Komunitetit Politik Europian, ndërsa ditën e sotme axhenda e presidentit Macron vijon me takime me zyrtarë të lartë të vendit.
Në kuadër të eventeve në ditën e Samitit të VI të Komunitetit Politik Europian u nënshkrua dje edhe deklarata e bashkëpunimit për Planin e Veprimit për Inovacionin Francë-Shqipëri, e cila ndër të tjera i jep dritën jeshile “Ecole 42”, shkollës prestigjioze franceze të kodimit.
Deklarata u nënshkrua në praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit francez Emmanuel Macron, të cilët vizituan mjediset e Piramidës ku është hapur një strukturë e re dedikuar Ecole 42, që do të përgatisë të rinjtë e Tiranës, por jo vetëm në fushën digjitale.
Kjo është vizita e dytë zyrtare e presidentit Macron në Tiranë, ndërsa në 16-17 tetor 2023 ka zhvilluar vizitën e parë në Shqipëri, njëkohësisht vizita e parë e një presidenti francez në vendin tonë.