Një aksident tragjik i ka marrë jetën një të riu shqiptar që jetonte dhe punonte në Itali. Sipas mediave vendase 26-vjeçari shqiptar Detar ‘Tali’ Muça, banues në Tortona, në Alessandria humbi jetën në spital ditën e sotme pasi u përfshi në një aksident të rëndë në rrugën A21 një ditë më parë, duke u përplasur me një kamion.
Ai po udhëtonte me një furgon të kompanisë ku punonte kur, për shkaqe që po hetohen ende, ai përfundoi duke u përplasur nga një kamion.
Muça u shtrua me kodin e kuq me helikopter në spitalin ‘Maggiore’ në Parma ku ndërroi jetë në orët e para të pasdites së sotme, për shkak të plagëve të rënda të marra.
I apasionuar pas futbollit, Detar ‘Tali’ Muça kishte luajtur si mesfushor në skuadrat e të rinjve të Derthona, më pas në Garbagna, në Audax Orione San Bernardino dhe së fundmi në Sale me të cilin vitin e kaluar kishte fituar play-off-in për t’u ngjitur një kategori më lart.
/AlbEu.com/