Aktori dhe regjisori i njohur Enver Petrovci, në një intervistë për emisionin “Voilà” la pas një rrëfim të hapur dhe të fortë për vendimet e tij të fundit profesionale dhe një mesazh që tingëllon si testament artistik.
“Të jesh aktor është si të jesh sportist, duhet fuqi dhe përkushtim. Kam vendosur që pas një roli kryesor në teatër të mos merrem më me aktrim në skenë. Në film dhe televizion do të vazhdoj, sepse janë më të lehta fizikisht. Do të përqendrohem në regji dhe dramaturgji.”- tha Petrovci, duke shpjeguar arsyet pse po zgjidh të tërhiqet gradualisht nga skena.
Në një moment emocional, ai foli për mënyrën se si vlerësohen artistët në hapësirën shqiptare dhe la një mesazh të qartë për brezat e ardhshëm:
“Unë gjithmonë e kam mbajtur për vete mendimin tim, duke menduar se mënyra se si jetoj dhe çfarë bëj një ditë do të tregojë kush jam. Kam kuptuar se tek ne, tek shqiptarët, njeriu vlerësohet më shumë pas vdekjes. Shpresoj që, kur të vdes, atëherë të vlerësojnë saktësisht kush kam qenë unë.”
Petrovci foli edhe për respektin ndaj kolegëve të tij dhe për një peng personal: nuk kishte pasur kurrë mundësinë të shihte në skenë aktorin legjendar Sulejman Pitarka, një mungesë që e konsideronte të rëndësishme për formimin e tij artistik.
I pyetur çfarë do të bëhej nëse nuk do të ishte aktor, ai u përgjigj me sinqeritet: “Do të kisha qenë marangoz”, duke rrëfyer dashurinë e tij për punën me drurin dhe dëshirën e hershme për të ndërtuar një shtëpi prej druri.