Shpjeguar thjesht: Pse akuzohet zyrtari i FBI-së dhe si përfshihet Shqipëria

Një skandal i raportuar në mënyrë masive nga mediat më të mëdha amerikane ka ngritur dyshime të forta se Edi Rama ka paguar para të padeklaruara në favor të një ish zyrtari të lartë të FBI-së, për ta përdorur atë në favor të luftës së brendëshme politike në Shqipëri.

Sipas mediave të huaja, kryeministri shqiptar dyshohet se ka vënë në veprim dy lobistë shqiptarë, një ish punonjës të sigurimit të shtetit me banim në SHBA dhe një të afërm të tij, për ti kaluar Charles McGonigalit, së paku 225 mijë dollarë.

McGonigal, i cili u arrestua së fundi në aeroportin e Neë Yorkut akuzohet se i ka marrë këto para për të dëmtuar aktivitetet e opozitës shqiptare dhe për të punuar në Amerikë kundër saj.

Punën e ndërmjetësit mes tij dhe Edi Ramës dyshohet se e kanë bërë dy shqiptarë që, në aktakuzën e ngritur nga autoritetet amerikane, përshkruhen si Personi A dhe Personi B.

Sali Berisha në emër të Partisë Demokratike i vuri atyre emrat, duke denoncuar të parin si Agron Neza, pra ai që ka paguar 225 mijë USD-të cash dhe të dytin si Dorain Duçka, ai që paraqitet në aktakuzë si “zyrtari jo formal i kryeministrit”, që ka financuar udhëtimet dhe ndenjtjen e Charles McGonigal në Tiranë.

Në të vetmin prononcim zyrtar të dhënë për BIRN, zqdhënësi i kryeministrit Endri Fuga nuk pranoi ti komentojë këta dy personazhe duke thënë se ngjarja nuk ka asnjë lidhje me shefin e tij.

 

Por, arrestimi i zyrtarit të lartë të FBI-së është bërë me akuzën e parë se është paguar nga një oligark rus dhe me të dytën, atë që na intereson ne shqiptarëve, se është paguar me para të zeza nga Tirana.

McGonigal akuzohet se ka përfituar së paku 225 mijë dollarë si dhe udhëtime me shpenzime të mbuluara nga dy shqiptarë. I pari shfaqet në aktakuzë si Personi A (Agron Neza), një shqiptar i natyralizuar amerikan me banim në Nju Xhersi, i cili vihet në dukje se ka qenë punonjës i Sigurimit në kohë të komunizmit.

Ky e ka paguar McGonigalin, për të mundësuar hapjen e një hetimi në SHBA, në lidhje me një lobues që ka lobuar “kundër një partie të ndryshme nga ajo e kryeministrit shqiptar”. Besohet se bëhet fjalë për lobistin Nik Muzin që u pagua me 640 mijë USD nga PD e Bashës.

 

Sipas aktakuzës, zyrtari i FBI, ka udhëtuar disa herë drejt Shqipërisë ku është takuar me Edi Ramën, i cili nuk ka pasur asnjë kompleks për ta paraqitur McGonigal në publik si mikun e tij. “Po është miku im mos u merrni me shpifje të tmerrshme” u tha ai gazetarëve ndërsa agjenti i FBI-së u vu nën akuzë shtatorin e shkuar.

Por, aktakuza vëren se “as FBI dhe as McGonigal nuk pagoi për hotel ndërsa gjendej në Shqipëri.”

Akuza është e detajuar deri në pikën që përshkruan mënyrën se si McGonigal i ka marrë paratë (në një parkim makinash) dhe se si është zhvilluar udhëtimi i tij në Tiranë, në shtator 2017.

Aty përshkruhen se si paratë u paguan nga Personi A (Agron Neza) dhe se në takimin me Ramën ai u shoqërua nga Personi B (Dorain Duçka). Në dosje theksohet se ky i fundit dispononte “një adresë emaili zyrtare të qeverisë”, pra që vepronte me bekimin dhe nën urdhërat e kryeministrit. 

Në dosjen penale kundër Charles McGonigal është interesante të lexohet se ai merrej dhe lobonte për çështjet e personazheve të shpallur “Non Grata”.

Kështu oligarku rus, i cili e pagoi për ta ndihmuar, ishte vënë nën sanksione nga SHBA. Po ashtu edhe në Shqipëri ai është lidhur me një politikan tjetër biznesmen, që kishte po të njëjtin hall. Por ende nuk dihet me siguri se deri në ç’pikë të sistemit të Non gratave shkonte fuqia e tij.

Gjëja e dytë interesante është se sipas akuzës ai është paguar për të punuar kundër opozitës shqiptare. Kush mund të kishte interes për një angazhim të tillë përpos Edi Ramës? 

Kjo është edhe arsyeja se përse kryeministri shqiptar përmendet nominalisht në aktakuzën amerikane.

Ky skandal në SHBA, i jep përgjigje edhe shumë debateve që janë bërë në Shqipëri për forcën lobuese të një pushteti të korruptuar: deri më tani kundërpërgjigjja e sejmenëve të pushtetit ka qenë: mos ia ngrini kaq shumë vlerat Edi Ramës. Mos e vizatoni si njeriun që është i aftë të blejë dhe Amerikën.

Në fakt, në mediat e SHBA-së, Charles McGonigal, përshkruhet si zyrtari më i lartë i FBI-së i arrestuar deri më sot. Pra kjo është shenjë e qartë se paratë e zeza nga Tiranë kanë depërtuar deri në rangjet e larta, madje edhe tek një agjent i rëndësishëm i FBI-së.  /Lapsi


Shtuar 24.01.2023 17:40