“Shpifje të qëllimshme”/ Belind Këlliçi mohon komunikimet me ish-kreun e ARRSH: Evis Berberi ishte arrestuar kur nisën protestat për Veliajn

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas akuzave të publikuara së fundmi, sipas të cilave ai dyshohet se ka pasur komunikime me ish-drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberi, lidhur me organizimin e protestave para Bashkisë së Tiranës.

Këlliçi i ka quajtur pretendimet të pavërteta dhe të paqena, duke theksuar se një komunikim i tillë është “objektivisht dhe ligjërisht i pamundur”.

Sipas tij, protestat para Bashkisë së Tiranës nisën më 5 prill 2024, ndërkohë që Berberi ndodhej në paraburgim që prej 14 marsit 2024, nën një regjim strikt komunikimi të parashikuar nga Kodi i Procedurës Penale dhe rregullorja e institucioneve të vuajtjes së dënimit.

“Evis Berberi ka qenë i arrestuar dhe në paraburgim që prej datës 14 mars 2024, nën regjimin e kufizuar të komunikimit sipas Kodit të Procedurës Penale dhe rregullores së paraburgimit. Në këtë periudhë, ai nuk ka pasur akses në komunikime të lira telefonike, elektronike apo takime fizike, përveç atyre të autorizuara dhe të dokumentuara zyrtarisht.
Prandaj, është objektivisht dhe ligjërisht e pamundur që një komunikim i tillë të ketë ekzistuar,” deklaron Këlliçi.

Këlliçi e cilëson akuzën si “shpifje të qëllimshme”, të cilën thotë se do ta ndjekë në rrugë ligjore.

Reagimi i Belind Këlliçit:

Në kulmin e hetimeve për aferën korruptive Rama–Balluku, është hedhur publikisht një pretendim i pavërtetë sikur ekzistojnë komunikime mes meje dhe ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, në lidhje me organizimin e protestave para Bashkisë Tiranë.

Faktet janë të qarta dhe publikisht të verifikueshme: Protesta e parë para Bashkisë është zhvilluar më 5 prill 2024, pas arrestimit të drejtorëve të 5D më 28 mars 2024, ndërkohë që Evis Berberi ka qenë i arrestuar dhe në paraburgim që prej datës 14 mars 2024, nën regjimin e kufizuar të komunikimit sipas Kodit të Procedurës Penale dhe rregullores së paraburgimit.

Në këtë periudhë, ai nuk ka pasur akses në komunikime të lira telefonike, elektronike apo takime fizike, përveç atyre të autorizuara dhe të dokumentuara zyrtarisht.

Prandaj, është objektivisht dhe ligjërisht e pamundur që një komunikim i tillë të ketë ekzistuar.

Çdo hetim i thjeshtë zyrtar nga SPAK ose çdo media investigative mund të verifikojë lehtësisht regjistrat e komunikimeve, autorizimet e takimeve, si dhe protokollet e kontakteve të paraburgimit dhe të konstatojë jo vetëm mungesën e komunikimit, por edhe pamundësinë fizike e juridike të ndodhjes së tij.

Personalisht nuk jam pjesë e konflikteve të brendshme të asnjë partie, nuk përdor kanale të ndërmjetme komunikimi dhe nuk jam instrument në luftëra politike apo propagandistike.

Për këtë arsye, nuk do ta trajtoj këtë çështje si debat publik, por si shpifje të qëllimshme, që do ta ndjek në rrugë ligjore sipas neneve të Kodit Penal.

Ftoj çdo media serioze, gazetar investigativ apo institucion të hedhë dritë mbi faktet dhe të publikojë çdo komunikim të pretenduar, nëse ekziston.

Kjo çështje nuk është thjesht një tentativë për baltosje personale. Është simptomë e një kulture politike që ka ndërtuar sistemin mbi shpifjen, jo mbi provën. Mbi llumin, jo mbi transparencën e ligjin.

Unë nuk jam këtu për ta ushqyer këtë kulturë, por për ta sfiduar atë, me fakte, me standarde dhe me përgjegjësi publike. Ky është terreni ku unë zgjedh të bëj politikë e të luftoj.


Shtuar 23.11.2025 16:52