Kryeministri britanik Rishi Sunak e përshëndeti qasjen e kryeministres italiane Giorgia Meloni për të trajtuar migracionin ilegal në një vizitë në Romë të shtunën ku u ra dakord që të bashkë-financojnë një projekt për të ndihmuar emigrantët të kthehen në shtëpi nëpërmjet Tunizisë.
Të dy udhëheqësit zhvilluan bisedime në zyrën e Melonit dhe lideri konservator britanik mbajti edhe një fjalim në një takim të partisë së saj të ekstremit të djathtë “Vëllezërit e Italisë”. Të dy kryeministrat janë zotuar të ndalojnë zbarkimet e anijeve me emigrantë në brigjet e vendeve të tyre dhe në fjalimin e tij,
Sunak përshëndeti gatishmërinë e të dyve për të vijuar bashkëpunimin. Të dy janë përballur me kritika të forta për politikat e tyre, nga planet e Sunak për të dërguar azilkërkues në Ruanda, tek lëvizjet e Melonit për të kufizuar aktivitetet e anijeve të shpëtimit në Mesdhe dhe marrëveshjen me Shqipërinë.
Në takimin e tyre, Sunak dhe Meloni ranë dakord të financojnë një projekt për të ndihmuar riatdhesimet e emigrantëve në Tunizi, vendi i nisjes për shumë emigrantë që përpiqen të arrijnë në Evropë. Ata “u angazhuan të bashkëfinancojnë një projekt për të promovuar dhe ndihmuar kthimin vullnetar të emigrantëve nga Tunizia në vendet e tyre të origjinës”, – tha Downing Street. Zyra e Melonit tha se kjo do të ishte në përputhje me projektet ekzistuese të OKB-së, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Një marrëdhënie e mirë
Sunak dhe Meloni kanë krijuar një marrëdhënie të mirë që kur të dy morën detyrën në tetor 2022, dhe të shtunën ai përshëndeti “bindjen dhe vendosmërinë e saj”. Ai e krahasoi atë me ish-kryeministren britanike Margaret Thatcher dhe tha se atyre u duhej një pjesë e “radikalizmit” të Zonjës së Hekurt për të trajtuar migrimin masiv.
“Nëse nuk e trajtojmë këtë problem, shifrat vetëm do të rriten. Ai do të mbingarkojë vendet tona dhe kapacitetin tonë për të ndihmuar ata që në fakt kanë nevojë më shumë për ndihmën tonë” – tha ai. Ata ranë dakord në takimin e tyre për të rritur përpjekjet për të luftuar kontrabandistët e njerëzve, por Sunak tha se pengimi i njerëzve ishte gjithashtu thelbësor.
“Të bësh të besueshëm këtë pengesë do të thotë t’i bësh gjërat ndryshe, duke u shkëputur nga konsensusi. Dhe Giorgia dhe unë jemi të përgatitur ta bëjmë këtë” – tha ai. Ai përmendi edhe një marrëveshje me Shqipërinë të rënë dakord një vit më parë, sipas së cilës shqiptarët që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla nëpërmjet Kanalit mund të kthehen menjëherë.
Që atëherë, numri i shqiptarëve që mbërrinin në Britaninë e Madhe kishte rënë me 90%, tha Sunak. Muajin e kaluar, Meloni ra dakord gjithashtu për një marrëveshje me Shqipërinë për të ndërtuar dy qendra në këtë vend për të strehuar azilkërkuesit e kapur në det nga roja bregdetare italiane.
Kjo marrëveshje ka ngjallur kritika në të dy vendet dhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka bllokuar përkohësisht ratifikimin e saj nga ligjvënësit. Sunak dhe Meloni u takuan gjithashtu të shtunën me kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili iu drejtua konferencës së Atreju, duke thënë se ishte “i sigurt” se marrëveshja me Italinë do të shkonte përpara.