Shpëtohet 22-vjeçari, kishte mbetur i bllokuar në kanionin e Osumit

Operacioni i kërkim-shpëtimit për nxjerrjen nga uji të 22-vjeçarit Xhuljano Kaloti, përfundoi me sukses. I riu u raportua i humbur pasi mbeti i bllokuar në ujërat e lumit Osum gjatë përpjekjeve për të ndihmuar në gjetjen e një 42-vjeçari të zhdukur.

I riu ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, është i vetëdijshëm dhe aktualisht po merr ndihmën e nevojshme nga ekipi mjekësor.

Në mbështetje të strukturave vendore, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) koordinoi operacionin e kërkim-shpëtimit, i cili u realizua në kushte tepër sfiduese dhe falë bashkëpunimit të ngushtë mes alpinistëve, vullnetarëve, forcave speciale RENEA dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Strukturat e përfshira vijojnë operacionin pa ndërprerje për kërkimin e personit tjetër të raportuar të humbur, ndërsa autoritetet bëjnë apel për bashkëpunim dhe respektim të udhëzimeve të ekipeve në terren.


Shtuar 22.02.2026 22:36