Policia e Kosovës tha se në orët e para të 3 korrikut ka ndodhur një shpërthim në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe.
Sipas Policisë, mjeti që ka shpërthyer dyshohet të ketë qenë shok-bombë.
Ngjarja ka ndodhur në orën 00:52 në lagjen Tre rrokaqiejt. Zyrtarët policorë, sipas njoftimit, “nuk kanë hasur në dëme anësore” nga ky shpërthim.
Shok-bombat nuk konsiderohen mjete shkatërruese. Megjithatë, ato prodhojnë zhurmë të madhe që çorienton shqisat.
Së fundmi, në komunat në veri të Kosovës, janë regjistruar disa sulme me shok-bomba dhe granata dore.
Sulmi i fundit me shok-bombë ndodhi në Zveçan më 18 qershor. Po ashtu, sulme me shok-bomba ka pasur edhe pranë stacioneve në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut.
Më 26 qershor, objekti komunal i Mitrovicës së Veriut u sulmua me granatë dore, duke shkaktuar dëme materiale.
Këto ngjarje vijnë në kohën kur tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga 26 maji. Atë ditë, kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.
Popullata serbe, e cila i ka bojkotuar zgjedhjet e 23 prillit, ka kundërshtuar veprimin e kryetarëve dhe ka mbajtur vazhdimisht protesta para ndërtesave.
Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet dhe të organizohen zgjedhje të reja në katër komunat në veri.