Shpërthen bombola e gazit në një banesë në Berat, shpëtojnë në kohë 7 anëtarët e familjes

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Orizaj, në Berat. Një bombolë gazi ka shpërthyer brenda një banese, e cila ishte në pronësi të shtetasit Agur Cako dhe në të cilën ndodheshin 7 persona në momentin e ngjarjes.

Bombola e gazit ishte në një dhomë të vogël që familja Cako e përdorte si dhomë gatimi. Pas shpërthimit të bombolës, flakët u përhapën shumë shpejt. Megjithatë, e gjithë familja arriti të largohej nga banesa dhe njoftuan menjëherë zjarrfikësit.

Në banesë jetonin bashkëshortët Cako me tre fëmijë të vegjël dhe dy prindërit e moshuar të Agur Cakos,por fatmirësisht asnjë nga pjesëtarët e familjes nuk ka pësuar lëndime.

Falë ndërhyrjes së shërbimeve zjarrfikëse, flakët u lokalizuan në kohë dhe u shuan. Si pasojë e shpërthimit, dhoma ku ndodhej bombola e gazit u shkrumbua krejtësisht, ndërsa dëme materiale u shkaktuan edhe në një dhomë tjetër që ishte pranë.

 


Shtuar 10.04.2023 21:10