Shpërthen bomba gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve për gazetarët, një i vdekur

Një bombë shpërtheu të shtunën gjatë një ceremonie çmimesh për gazetarët në qytetin verior afgan, Mazar-e-Sharif, duke vrarë të paktën një person dhe duke plagosur tetë të tjerw, përfshirë fëmijë, thanë zyrtarët.

Shpërthimi ndodhi në qendrën Tabian Farhang në Mazar-e Sharif, kryeqyteti i provincës Balkh, ndërsa gazetarët u mblodhën për ceremoninë e ndarjes së çmimeve në orën 11:00, tha Mohammad Asif Waziri, një zëdhënës i policisë lokale.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Abdul Nafi Takor tha se pesë gazetarë dhe tre fëmijë u plagosën. Shpërthimi vrau një roje sigurie, tha ai.

Shpërthimi erdhi dy ditë pasi një bombë në Mazar-e-Sharif vrau guvernatorin e provincës, Daud Muzmal dhe dy të tjerë. Katër persona u plagosën.

Në mesin e gazetarëve të plagosur të shtunën ishte Najeeb Faryad, një reporter për stacionin televiziv Ariana News. Faryad tha se ndjeu sikur diçka e goditi në shpinë, e ndjekur nga një tingull shurdhues para se të binte në tokë.

Hujatullah Mujadidi, i cili kryeson Shoqatën e Gazetarëve të Lirë të Afganistanit, tha se qendra kulturore në Balkh mbajti ngjarjen për të nderuar personelin e medias nga veriu i vendit. Ai tha se 14 gazetarë u plagosën.

Misioni i OKB-së në Afganistan e dënoi sulmin si “të neveritshëm”.

“Dhuna duhet të ndalet. Gazetarët afganë tregojnë guxim të jashtëzakonshëm dhe duhet të mbrohen”, tha misioni i OKB-së në Twitter.

Askush nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin, por dega rajonale e grupit të Shtetit Islamik, i njohur si Shteti Islamik në provincën Khorasan, është një rival kryesor i talebanëve në pushtet.

Shteti Islamik ka shtuar sulmet e tij në Afganistan që nga marrja e vendit nga talebanët në gusht 2021. Objektivat kanë përfshirë patrullat talebanë dhe anëtarët e pakicës shiite të Afganistanit./Albeu.com/


Shtuar 11.03.2023 21:39