Shpërthejnë protestat në Ekuador, kërkohet dorëheqja e Presidentit: Ka lidhje me mafien shqiptare

Ditën e djeshme Federata e Studentëve të Universitetit të Ekuadorit (FEUE) dhe organizata të tjera sociale i kërkuan Asamblesë Kombëtare të nisë procedurat për të hequr Presidentin Guillermo Lasso nga detyra.

Mediet publikuan një investigim ku thuhet se Presidenti ka lidhje me mafien shqiptare.

Organizatat që i përkasin platformës “Ekuadori thotë Jo”, e cila u krijua për të kundërshtuar plebishitin e reformës kushtetuese të mbështetur nga partitë politike konservatore, u mblodhën në afërsi të Parlamentit për të protestuar kundër qeverisë.

Zëdhënësi i Frontit Ekuadorian të Mbrojtjes së Naftës, Jorge Caceres tha se Ekuadori po bëhet një “shtet i dështuar” si rezultat i politikave neoliberale të zbatuara gjatë 7 viteve të fundit.

“Dega e Ekzekutivit nuk ka ofruar shërbime shëndetësore apo arsimore. Ne duam një ndryshim në politikën socio-ekonomike, e cila do të na lejojë të zhdukim dhunën dhe të zgjidhim probleme të tjera”.

Njëkohësisht, aktivistët e FEUE protestuan përpara Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit për të kërkuar veprime ligjore kundër Lasso për lidhje të dyshuara me çështjen Encuentro, e cila i referohet një rrjeti në të cilin janë përfshirë zyrtarë të lartë dhe mafia shqiptare.

Skandali për këtë rast shpërtheu pasi gazetarët e La Posta zbuluan se Danilo Carrera shfaqej si “Kumbari i Madh” i cili merrte vendime për kontratat publike pa qenë zyrtari i administratës së kryesuar nga kunati i tij, Guillermo Lasso.

“Presidenti nuk ka kapacitet moral për të drejtuar Ekuadorin,” komentoi kreu i FEUE Nery Padilla, duke kërkuar që ligjvënësit të nisin një gjyq për shkarkimin e bankierit të djathtë nga Presidenca e Republikës.

/Albeu.com/


Shtuar 18.02.2023 11:55