Shpërndanin “të bardhë” brenda qendrës së tatuazheve tek Komuna e Parisit, në pranga dy persona

Policia në Tiranë ka vënë në pranga dy persona për prodhim dhe shitje narkotikësh. Bëhet e ditur se me finalizimin e operacionit të koduar policor “Tattoo” u arrestua A. B., 23 vjeç, banues në Tiranë dhe B. Sh., 33 vjeç, banues në Tiranë. Ky i fundit kishte thyer edhe masën e sigurisë “arrest në shtëpi.”

23-vjeçari administronte një qendër tatuazhesh, në rrugën “Sulejman Delvina”, në të cilën shpërndante edhe lëndë narkotike në bashkëpunim me 33-vjeçarin.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tyre dhe kontrollit që iu bë qendrës, policia gjeti lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, të ndarë në doza, gati për shitje.

Njoftim policie

Finalizohet operacioni policor i koduar “Tattoo”, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve.

Goditet 1 rast i veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, në një qendër tatuazhesh. Vihen në pranga administratori i qendrës dhe bashkëpunëtori i tij, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Sekuestrohet lëndë e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, pas informacioneve të marra në rrugë operative për dy shtetas, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndë narkotike kokainë, në një qendër tatuazhesh në rrugën “Sulejman Delvina”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin “Tattoo”, për kapjen e tyre.

Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– A. B., 23 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

– B. Sh., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi A. B. administronte një qendër tatuazhesh, në rrugën “Sulejman Delvina”, në të cilën kryente edhe aktivitetin kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në bashkëpunim me shtetasin B. Sh.

Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve dhe kontrollit në ambientet e kësaj qendre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, të ndarë në doza, gati për shitje.

Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi B. Sh. kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, duke dalë jashtë banesës.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.


Shtuar 29.09.2022 16:37