Policia e Tiranës ka vënë pranga tre të rinj dhe dy janë shpallur në kërkim pasi shpërndanin lëndë narkotike kanabis në disa të ndryshme të kryeqytetit.
Të arrestuarit janështetasit, E. Gj., 17 vjeç, D. S., 17 vjeç dhe E. H., 21 vjeç, ndërsa në kërkim janë shpallur shtetasit, S. Gj., 21 vjeç dhe L. K., 20 vjeç.
Uniformat blu kanë sekuestruar 450 gramë kanabis e ndarë në doza gati për shpërndarje.
Njoftimi i Plotë
Shpërndanin lëndë narkotike kanabis në zona të ndryshme të Tiranës, vihen në pranga 3 shtetas, shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Sekuestrohen 450 gramë lëndë narkotike kanabis, e ndarë në doza gati për shpërndarje.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, kanë goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të shitjes së narkotikëve, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
E. Gj., 17 vjeç, D. S., 17 vjeç dhe E. H., 21 vjeç.
Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit S. Gj., 21 vjeç dhe L. K., 20 vjeç.
Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ishin siguruar informacione në rrugë operative se shtetasit S. Gj. dhe L. K., të dyshuar si organizatorët e kësaj veprimtarie të kundërligjshme, siguronin lëndën narkotike kanabis në sasi 5-10 kg, të cilën e ndanin në doza dhe më pas ua jepnin shtetasve D. S. dhe E. Gj., të cilët ishin të punësuar për shitjen e lëndës narkotike në përdorues të ndryshëm në zonën e Pazarit të Ri, Medresesë dhe në rrugën “Frataj”.
Në bazë të këtyre informacioneve është organizuar puna dhe në rrugën “Frataj” është kapur në kushtet e flagrancës shtetasi D. S., duke shitur lëndë narkotike kanabis në doza, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës, së bashku me një shumë parash të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit të shpallur në kërkim S. Gj., u kap në kushtet e flagrancës shtetasi E. H, duke tentuar të heqë nga banesa, sendet e kundërligjshme që gjendeshin aty, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Shtetasi E. H., në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.