Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një rrëfim në podcastin “3GO- Trego” ka folur për jetën dhe fillimet e saj profesionale.
Presidentja ka treguar se si nisi angazhimin e saj që në moshën 10-vjeçare në kohën e zgjedhjeve presidenciale në vitet e 90-ta duke shpërndara fletushka për të informuar popullin, gjersa po ashtu ka treguar për ndjenjën e jashtëzakonshme që ka përjetuar duke ndihmuar familjen.
“Nëse flasim për angazhim, babi jem ka qenë i angazhuar në politikë në vitet e 90-ta… Më kujtohet kur janë mbajtur zgjedhjet e para presidenciale. Ka qenë situatë e tensionuar, por doja me ndihmu diqysh, as 10 vjet atëherë. Donim me u siguru që njerëzit janë të informuar që munden me votu… Dilja nëpër shtëpia dhe shpërndaja fletushka…dhe si fmi me u angazhu për një kauzë që atë kohë ka qenë tepër e rëndësishme për popullin tonë të krijon vetëdije të lartë…
Pastaj si punë me angazhim të plotë në vitin ’99 menjëherë pas luftës… edhe unë dilja çdo ditë prisja në radhë për një intervistë para zyrave të UN… Pas shumë muajve të pritjeve… Nuk kisha shumë besim që mund ta fitoja atë shans, isha e re, ende 17-vjeçe, por me vetëbesim. E kam pasur gjithmonë”, tha Osmani.
“Rrogën e parë ua kam dhënë prindërve komplet, edhe të dytën, edhe të tretën edhe të dhjetën. Për mua ka qenë ndjenjë e jashtëzakonshme me pas mundësi me ndihmu familjen, neve na u ka dashtë me rindërtu sikurse shumicës së familjeve në Kosovë prej hiri u deshtë me u rizgju. Me pas mundësi motrat dhe vëllai mos me mendu më a munden me i mbulu shpenzimet e shkollimit dhe prindërit mos me pas më brengën edhe ngarkesën që e kanë pas nga viti ‘89 kur i kanë qit prej punës. Babi im ka qenë i parë në krejt Mitrovicën që e kanë larguar serbët prej punës kështu që një breng shumë e gjatë e mbijetesës..
Por, e fitova vendin e punës… Prej ‘99 punoi kurrë pa ndalë, në një pjesë të madhe të jetës nga tri vende të punës. Prej ‘99 nuk është që e di fort çka është gjumi, sepse në atë kohë është desht mu angazhu në studime… punë”, tha ndër të tjera ajo.
