Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr.536/1, datë 14.05.2021, i ndryshuar, ka zhvilluar në subjektin Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (DVASHK) Berat auditimin me objekt “Mbi auditimin e ligjshmërisë në kryerjen e procedurave të legalizmit të objekteve informale si dhe auditimin e procedurave të pranimit, administrimit, shqyrtimit dhe miratimin e dokumentacionit për regjistrimin fillestar të pasurive të paluajtshme dhe evidentimin e ligjshmërisë së mbivendosjeve”.
Nga auditimi janë konstatuar një sërë shkeljesh të kryera nga ana e dy ish Drejtorëve të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Berat dhe një punonjësi me detyrë ish Regjistrues në ZVRPP Berat (aktualisht DVASHK Berat), të cilët në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore përkatëse,si dhe përmbushjen e rregullt të detyrës së tyre, kanë konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.
Në lidhje me këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat kallëzimin penal për dy ish drejtuesit dhe ish regjistruesin.