Nje ngjarje e rëndë ka ndodhur në një festë familjare në restorantin “Grand Events” në fshatin Shkabaj, në rrugën Prishtinë–Mitrovicë, ku këngëtari i njohur Shpat Kasapi dhe vëllai i tij janë dhunuar brutalisht para dhjetëra të ftuarve.
Sipas dëshmive, incidenti shpërtheu pasi Kasapi, i ftuar për të kënduar në dasmë, mbërriti me vonesë. Raportohet se ai ka qenë edhe në gjendje të dehur, çka ka shkaktuar pakënaqësi te dhëndri dhe disa nga të ftuarit. Ajo që nisi si një debat verbal u kthye shpejt në një përleshje fizike.
Kasapi dhe vëllai i tij dyshohet se janë sulmuar nga disa persona, mes tyre edhe vetë dhëndri i dasmës. Sulmuesit kanë goditur këngëtarin me grushte e shkelma, duke i shkaktuar lëndime, ndërsa skena e dhunës është zhvilluar para syve të dasmorëve.
Policia ka ndërhyrë menjëherë dhe ka arrestuar tre persona të dyshuar për ngjarjen. Njëri prej tyre është dërguar në paraburgim, ndërsa dy të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt, teksa hetimet për rastin vijojnë.