Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç shpalli të premten, zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare për më 11 qershor të këtij viti.
Vendimi vjen një ditë pasi Gjukanoviç, duke iu referuar kushtetutës, nxori një dekret për shpërndarjen e parlamentit.
Zoti Gjukanoviç e mori vendimin pasi shumica e tanishme parlamentare nuk arriti të formonte një qeveri të re apo të rindërtonte qeverinë ekzistuese të Dritan Abazoviçit, e cila humbi votëbesimin në gusht të vitit të kaluar.
Zoti Gjukanoviç tha në konferencën për shtyp se “të gjithë janë të vetëdijshëm për krizën e thellë të shkaktuar nga papërgjegjësia e mazhorancës aktuale politike”.
Shumica parlamentare përbëhet nga Fronti Demokratik pro-serb, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare, të cilat në zgjedhjet e gushtit 2020 e dërguan Partinë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviçit në opozitë pas më shumë se tre dekadash në pushtet.
Duke iu përgjigjur vendimit të zotit Gjukanoviç për shpërndarjen e parlamentit, deputetët e shumicës parlamentare kanë paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për kushtetutshmërinë e këtij vendimi.
Deri atëherë ata kërkojnë që Gjykata të urdhërojë pezullimin e të gjitha veprimeve që rrjedhin nga dekreti i shpërbërjes.
Shumica parlamentare vlerësoi se dekreti i Gjukanoviçit përfaqësonte “një formë të arbitraritetit klasik individual”.
Edhe kryeministri Dritan Abazoviç, qeveria e cilit nuk mori votëbesiminnë gusht, beson se vendimi i Gjukanoviçit është jokushtetues.
“U bëj thirrje deputetëve që ta marrin në dorë çështjen e shkurtimit të mandatit të tyre”, tha Abazoviç në konferencën e sotme për media dhe i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese që të reagojë.
Të dyja vendimet janë marrë nga zoti Gjukanoviç dy ditë para zgjedhjeve presidenciale të së dielës me 19 mars, në të cilat ai është kandidat i Partisë Demokratike të Socialistëve.
Pas votës së mosbesimit ndaj qeverisë së zotit Abazoviç, Fronti Demokratik, partia më e madhe e koalicionit qeverisës, e cila njihet për qëndrimet e saj pro-ruse dhe pro-serbe, propozoi për kryeministër kandidatin e saj, Miograd Lekiç. Presidenti Gjukanoviç e kundërshtoi këtë kandidaturë dhe propozoi zgjedhje të reja.
Kjo nxiti parlamentin të ndryshonte Ligjin për Presidentin, duke i hequr atij disa kompetenca, për të bërë të mundur zgjedhjen e kryeministrit nga parlamenti, pa patur nevojë për miratim nga presidenti. Komisioni i Venecias, e kritikoi ligjin si në shkelje të Kushtetutës.
Faktori ndërkombëtar në vazhdimësi ka shprehur shqetësimin për krizën e zgjatur politike në vend, bllokimin e institucioneve, polarizimin në rritje të shoqërisë dhe pamundësinë e autoriteteve për të gjetur një rrugëdalje nga kriza./express/