Dy kushërinjtë, F.M., dhe K. M., që dyshohet se vranë me thikë 19-vjeçarin Grei Bihuci, pas sherrit në TikTok kanë mbërritur në gjykatë.
Ata shihen duke dalë nga furgoni i efektivëve me pranga në duar, shoqëruar nga forca të shumta policie.
F. M., dhe K. M., do të njihen sot me masën e sigurisë, mbi ta rëndon akuza e vrasjes në bashkëpunim dhe e mbajtjes pa leje të armëve të ftohta.
Dy kushërinjtë, akuzohen se qëlluan për vdekje me thikë 19-vjeçari Grei Bihuci dhe plagosën shokut e tij 20-vjecar O. S., i cili ndërhyri për të shuar sherrin.
Prokuroria e Fierit kërkon ‘Arrest në burg’ për shtetasit F.M dhe K.M për ‘Vrasje me paramendim’ e kryer në bashkëpunim dhe ‘Prodhimi, blerja apo shitja e armëve të ftohta
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në bashkëpunim me policinë gjyqësore, bënë të mundur dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur më datë 11.03.2024, në qendër të qytetit të Fierit, përballë Bar restorant “Piazza”, ku rreth orës 11.30, shtetasit F.M dhe K.M në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me një mjet të mprehtë (thikë) shtetasin G.B, ku si pasojë e plagëve humbi jetën.
Në lidhje me këtë ngjarje, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier regjistroi në datën 11.03.2024 çështjen penale nr. 382, për veprat penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi mbajtja blerja apo shitja pa leje e armëve te ftohta”, parashikuar nga nenet 78/1- 25 dhe 279/2 të K.Penal, në ngarkim të shtetasve F.M dhe K.M.
Po ashtu, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka kërkuar në gjykatë caktimin e masave të sigurimit me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit Procedurës Penale, ndaj shtetasve F.M dhe K.M.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për një hetim të plotë dhe gjithanshëm të kësaj ngjarjeje, me qëllim hetimin e thelluar të motivit, shkaqeve apo përfshirjen e personave të tjerë në këtë ngjarje të rëndë.