Të tjera detaje kanë dalë mbi shoqërimin e Endrit Dokles në polici, për të dëshmuar lidhur me fatin e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj.
Ka qenë gazetarja Klodiana Lala, e cila duke folur për News 24, ka zbuluar detaje të tjera nga operacioni në Shijak dhe shoqërimi i Endrit Dokles në polici.
Sipas Lalës, në momentin e ndalimit Dokle ndodhej në automjet edhe me bashkëshorten e tij dhe djalin e tyre të mitur. Ajo theksoi se gjatë kontrolleve në makinë, policia nuk ka gjetur asgjë të paligjshme.
“Endrit Dokle ka qenë bashkë me kunatin e tij Gentian Reçi dhe Fatjon Muratin. Mbrëmjen që është ndaluar në prani të bashkëshortes dhe djalit të mitur nuk është gjetur në makinë asnjë send i paligjshëm që mund ta mbante prapa hekurave. Si ka mundësi që gjithë këta persona të skeduar janë të gjithë në një makinë”, tha ajo.
Lala zbuloi në emisionin “Open” se Fation Murati dhe Gentian Reçi, 5 ditë më parë kanë dhënë deklarimet e tyre në polici në lidhje me masakrën e Fushë Krujës.
“Pas vrasjes së Brilant Martinajt dhe dy miqve të tij ata janë kërkuar për t’u marrë në pyetje.
Endrit Dokle është pyetur tre javë më parë për masakrën e Fushë Krujës. Fation Murati dhe Gentian Reçi kanë dhënë deklarimet e tyre pesë ditë më parë në policinë e Krujës dhe kanë dhënë shpjegime në lidhje me këtë ngjarje. Dokle dhe kunati i tij janë duke u hetuar për kapjen e një personi në kërkim.
Për përplasjet e forta me Martinajt dhe grupet e tjera nuk mund të jap përgjigje tani sepse hetimet janë duke vijuar. Personazhe të botës së krimit gjenden papritur bashkë në një automjet të blinduar”, u shpreh Lala.