Ish-kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla dhe kryebashkiaku i pabetuar i Himarës Fredi Beleri, kanë lënë spitalin dhe janë transferuar në qeli.
Mësohet se gjatë ditës së martë, 22 gusht 2023, Beleri, nën akuzë për blerje të votave për zgjedhjet e 14 majit në Himarë dhe Lefter Alla, nën akuzë për korrupsion me tenderët janë transportuar me të njëjtin furgon për në paraburgimin e Durrësit.
Kujtojmë se në qelitë e paraburgimit të Durrësit, mbahen të izoluar në pritje të verdiktit të drejtësisë, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-deputeti socialist Alqi Bllako, të akuzuar për aferën e inceneratorëve bashkë me Arben Dervishin, zv.president i FSHF-së, administrator i njërës prej kompanive të punimeve në inceneratorin e Fierit.
Fredi Beleri dhe Lefter Alla do i bashkohen kolegëve ish-zyrtarë lokalë, ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako që ndodhet në paraburgimin e Durrësit për tenderin e shëtitores së Currilave dhe shpërdorim detyre me një pallat të dëmtuar nga tërmeti, Safet Gjicit të shkarkuar nga Bashkia e Kukësit pak ditë pasi u rizgjodh më 14 maj për skandalin seksual në zyrën e tij nën akuzë për korrupsion.