Pas vendimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatës së RMV-së, që t’i dhurojnë disa tanke Ukrainës.
i menjëhershëm ishte reagimi i MPJ-së ruse. Rusia konsideron se është gabim i madh i autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që t’i dhurojnë tanke T-72 Ukrainës, u shpreh zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Marija Zaharova. Edhe pse bëhet fjalë për pajisje të vjetërsuara, me këtë donacion, Zaharova thotë se po jepet mbështetje për “vazhdimin e aktiviteteve kriminale të regjimit në Kiev”.
“Përkundër faktit se, sipas autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, bëhet fjalë për një donacion “të padëmshëm” të pajisjeve të vjetruara, fakti mbetet se Shkupi, besnik i NATO-s, është i përfshirë në dërgimin e armëve në Ukrainë, duke kontribuar kështu në vazhdimin e aktivitetit kriminal të regjimit në Kiev kundër popullatës civile në Donbas. Njerëzit që shpallin demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut duhet ta dinë këtë. E gjithë kjo çon në përkeqësim të mëtejshëm të situatës. Ne besojmë se ky është një gabim i madh i udhëheqjes së Maqedonisë së Veriut”- deklaroi Marija Zaharova, zëdhënëse e MPJ-së Ruse.
Ministria e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes dolën me qëndrim të përbashkët. RMV-ja është shtet sovran i cili vendimet i merr në mënyrë të pavarur, duke u nisur nga parimet e respektimit të së drejtës ndërkombëtare, Karta e OKB-së, parimet dhe angazhimet e OSBE-së për mbrojtjen e arkitekturës evropiane të sigurisë dhe stabilitetit global, thuhet në kumtesë.
“Maqedonia e Veriut që në fillim e dënoi ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë dhe qëndroi në mbështetje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, e para se gjithash në mbështetje të paqes, të të drejtave të njeriut dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Në fakt, deri më tani, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut solli disa Vendime për ndihmë ushtarako-teknike me të cilat i ndihmojmë Ukrainës në mbrojtjen e integritetit të saj territorial, i cili është i rrezikuar nga ndërhyrja ushtarake”- deklaroi Ministria e Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes e RMV-së.
Republika e Maqedonisë së Veriut, si anëtare e Aleancës më të fuqishme ushtarako-politike – NATO-s, në mënyrë të vendosur qëndron pas pozicionit dhe vendosmërisë së Aleancës që të jetë garantuese e paqes dhe sigurisë së vendeve të saj-anëtare dhe që t’i mbrojë vlerat, lirinë dhe sigurinë e brezave të tanishëm dhe të ardhshëm, shtojnë nga këto dy dikastere. Në bazë të analizave të bëra, rekomandimeve dhe planeve të miratuara për pajisim të Armatës së vendit, gjatë periudhës së vijon do të bëhet transformim, gjegjësisht shpërbërje e batalionit të tankeve dhe në Armatë do të fillojë procesi i vendosjes së kapaciteteve bashkëkohore anti-blinduara./TV 21/