Mbrëmjen e djeshme, një aksident tragjik ka ndodhur në qytetin e Vlorës, rreth orës 01:30 pas mesnate, ku ka humbur jetën një i mitur. Viktima është identifikuar si Leandro Shametaj, 17-vjeç.
I riu sapo kishte lënë punën në një lokal, ku shërbente si kamerier në turnin e dytë, duke u kthyer në shtëpi me motorin e tij të vogël “Trinity”.
Udhëtimi i natës për të siguruar të ardhurat e familjes, rezultoi fatal.
Me dhimbje të madhe, gjyshi i Leandros është paraqitur në morg për të tërhequr trupin e pajetë të nipit, duke rrëfyer se i riu punonte fort për të ndihmuar familjen.
“E vranë në rrugë… Ai ishte vetëm 17-vjeç”, është shprehur ai mes lotësh.
Ndërkohë, trishtimi ka përfshirë edhe gjimnazin ku Leandro ndiqte mësimet. Nxënësit dhe mësuesit kanë vendosur jashtë shkollës një pankartë të madhe ku shkruhet: “Gëzo me engjëjt, Leandro”, një mesazh dhimbjeje dhe lamtumire për shokun e tyre.

