“Shkolla “Ibrahim Basha” mbillet me misër”, Bashkia Kamëz përgënjeshtron lajmet: S’është e vërtetë, toka në foto është jashtë ambientit të institucionit

Bashkia e Kamzës ka dalë në një reagim publik në lidhje me një lajm i cili ka qarkulluar ditën e sotme se oborri i shkollës 9-vjeçare “Ibrahim Basha” dhe “trualli” pranë Qendrës Shëndetësore është mbjellë me misër.

Përmes një reagimi zyrtar, Bashkia Kamëz sqaron se pretendimet janë të pavërteta dhe se ambienti brenda shkollës nuk është përdorur në asnjë moment për qëllime private.

“Fotoja e publikuar në media nuk i përket ambientit të shkollës, por një prone private, jashtë rrethimit të institucionit”, shkruhet në reagim ndërsa bën thirrje që qytetarët e interesuar të shkojnë të verifikojnë në terren.

Reagimi i plotë:

Reagim publik në lidhje me lajmin e publikuar ku pretendohet se “oborri i shkollës ‘Ibrahim Basha’ është mbjellë me misër” dhe se “trualli pranë Qendrës Shëndetësore është pushtuar për interesa private”, sqarojmë se pretendimet janë të pavërteta.

Ambienti brenda rrethimit të shkollës dhe Qendrës Shëndetësore administrohet vetëm nga institucionet përkatëse dhe nuk është përdorur në asnjë moment për qëllime private.

Fotoja e publikuar në media nuk i përket ambientit të shkollës, por një prone private, jashtë rrethimit të institucionit. Bashkia Kamëz është e angazhuar në çdo moment në administrimin dhe mbrojtjen e hapësirave publike, duke garantuar që asnjë ambient i dedikuar për institucionet të mos keqpërdoret apo shfrytëzohet në mënyrë të paligjshme.

Ftojmë çdo media dhe qytetar të interesuar të verifikojë në terren gjendjen reale të ambienteve në fjalë dhe të mos bjerë pre e informacionit të pasaktë.


Shtuar 5.08.2025 22:49