Shkoi në ndihmë të personave të përmbytur, rrëzohet helikopteri i shpëtimit në Itali, 4 të plagosur

Katër persona kanë mbetur të plagosur pasi, një helikopter shpëtimi që po u vinte në ndihmë banorëve në zonat e përmbytura është rrëzuar.

Ngjarja ka ndodhur në Ravena, një nga zonat më të prekura nga përmbytjet në vend.

Të plagosurit janë nxjerrë nga forcat zjarrfikësit e më pas janë dërguar në spital, shkruajnë mediat italiane.

Helikopteri Eliossola që u rrëzua në Lugo di Romagna (Ravena) ishte i përfshirë për të kryer një sërë kontrollesh në lidhje me ndërprerjen e linjave të energjisë në zonat e prekura nga moti i keq.

Mbi 15,000 janë të zhvendosur, ndërsa ushqimi dhe uji janë të pakta në zonën e Ravenës. Gjithashtu gjatë natës ka pasur ende përmbytje të cilat kanë detyruar evakuime të reja.

Në shumë qytete, shtëpi dhe lagje kanë mbetur pa energji elektrike dhe ujë të pijshëm, ndërsa në Apenine disa fshatra janë të izoluar për shkak të rrëshqitjeve të dheut, veçanërisht në zonën e Forlit.


Shtuar 20.05.2023 15:51