Këtë të hënë, një i dënuar me burgim të përjetshëm ka humbur jetën në Spitalin Rajonal të Korçës, pasi u transportua me urgjencë për shkak të problemeve shëndetësore.
Bëhet fjalë për shtetasin Hysni Qamil Repaj, 64-vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, i cili vuante dënimin për veprat penale “vrasje me dashje në lidhje me një krim tjetër” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Të lidhura
None found
Sipas burimeve zyrtare, rreth orës 09:40, gjatë një kontrolli mjekësor në institucionin e vuajtjes së dënimit, mjeku konstatoi përmes oksimetrit se i dënuari kishte rrahje të ulëta të zemrës (bradikardi).
Për shkak të gjendjes, ai u dërgua menjëherë në urgjencën e Spitalit Rajonal Korçë për trajtim të specializuar.
Gjatë ekzaminimeve në spital, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua, duke kaluar në arrest kardiak respirator. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta rikthyer në jetë, 64-vjeçari ndërroi jetë.
Mësohet se gjatë vuajtjes së dënimit, Repaj kishte shfaqur edhe probleme të shëndetit mendor dhe ishte trajtuar nga mjekë specialistë.
Lidhur me ngjarjen janë njoftuar organet e Prokurorisë, si dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHKKB), ndërsa pritet zbardhja e plotë e rrethanave të rastit.
