Shkencëtarët e Harvardit zbulojnë sekretet për një jetë të lumtur

Shkencëtarëve të Harvardit iu deshën njëzet e tre vjet për të zbuluar sekretin e një jete të mirë dhe të lumtur. Hulumtimi ndoqi jetën e shumë njerëzve dhe në momente të ndryshme kohore, për të arritur të deshifrojë atë që na bën të lumtur.

Duke filluar nga viti 1938, Dr. Arlie Bock i Shkollës Mjekësore të Harvardit, u fokusua në 268 studentë të vitit të parë të universitetit. Pjesëmarrësit ranë dakord t’i nënshtroheshin ekzaminimeve të gjera fizike, t’u përgjigjeshin pyetësorëve dhe të intervistoheshin gjatë gjithë jetës së tyre për të ndihmuar studiuesit të arrijnë qëllimin e tyre.

Nga 268 pjesëmarrësit, ndryshimet më të rëndësishme ndodhën te meshkujt në të 40-at e tyre. Për shembull, një u bë president i Shteteve të Bashkuara (John F. Kennedy), një autor i famshëm dhe katër garuan për senatorë. Sigurisht, të shumtë ishin ata që patën përvoja shumë të pakëndshme dhe dështuan.

E ndërsa nuk u dha një përgjigje e qartë, pasi faktorët që çojnë në lumturi u ndikuan nga shumë gjëra, pjesëmarrësit më të lumtur u fokusuan në tre elementët e mëposhtëm:

Suksese me një plan afatgjatë

Sipas rezultateve të hulumtimit, shtylla e parë për një jetë të mirë është suksesi. Por jo ai që vjen menjëherë apo me shumë lehtësi. Suksesi që bazohet në përpjekje dhe zgjat.

Pjesëmarrësit e hulumtimit përjetuan shumë ulje-ngritje në jetën e tyre (siç bëjmë ne të gjithë). Pra, studiuesit nuk u fokusuan në një moment të vetëm, por në ndikimin afatgjatë të përvojave të tyre. Rezultatet treguan se një vështirësi apo pengesë në jetë nuk do të thotë se do të qëndrojmë larg suksesit dhe jetës së mirë përgjithmonë. Përkundrazi, ata që u përqendruan te e ardhmja, lanë pas të vështirat dhe shikonin përpara, arritën në fund të kenë sukses.

Nga ana tjetër, ata që përjetuan famë të madhe shumë herët, nuk ishin gjithmonë të suksesshëm në jetë. Për shembull, John Hines, i cili ishte pjesëmarrësi model në hulumtim, kishte gjithçka në rregull. Ishte i martuar, i suksesshëm profesionalisht dhe i shkëlqyer në shkollë dhe studime. Por në të 30-at ai filloi të pinte duhan dhe alkool, pati një lidhje jashtëmartesore dhe më në fund vdiq krejt papritur.

E kundërta ekstreme ishte një tjetër pjesëmarrës, Godfrey Camille, të cilit shkencëtarët i dhanë më pak shanse për sukses. Ai hante vetëm që në moshën 6-vjeçare, tentoi të vriste veten dhe nuk mundi të kapërcejë traumat e fëmijërisë. Në moshën 35-vjeçare ai ndjeu se “diçka ndryshonte brenda tij”, siç tha ai. Ai u bë psikiatër dhe përdori përvojat e tij të jetës për të ndihmuar të tjerët. Studiuesit zbuluan se në kohën kur ai vdiq ai ishte bërë një nga pjesëmarrësit më të lumtur në studim.

Inteligjenca Emocionale

Studiuesit zbuluan se ata që reaguan më energjikisht dhe pozitivisht ndaj problemeve të jetës ishin më të shëndetshëm mendërisht dhe emocionalisht sesa ata që i shihnin gjërat më negativisht. Ata zbuluan gjithashtu se deri në një farë mase inteligjenca emocionale mund të mësohet dhe përmirësohet me kalimin e viteve, megjithëse disa nga pjesëmarrësit filluan me rezultate shumë pozitive për atë tipar dhe zhvilluan zakone të këqija më vonë në jetë (shembulli i Hines vlen edhe këtu). Në përgjithësi, megjithatë, inteligjenca emocionale mund të zhvillohet dhe përmirësohet me kalimin e viteve dhe të kontribuojë në zhvillimin personal dhe profesional, argumentojnë studiuesit e Harvardit.

Marrëdhëniet

“Vetmia vret. Është po aq e fuqishme sa alkoolizmi apo cigaret”, tha profesori i Harvardit, Robert Waldinger, anëtar i komitetit kërkimor dhe psikiatër, në një fjalim në të cilin prezantoi rezultatet e hulumtimit.

Doli se një nga faktorët më të rëndësishëm për një jetë të mirë ishin marrëdhëniet e gjata dhe kuptimplota. Ka pasur një lidhje të drejtpërdrejtë të lumturisë individuale me lumturinë që ndiejmë në një marrëdhënie. “Njerëzit që ishin të kënaqur me marrëdhënien e tyre në moshën 50 vjeç ishin më të shëndetshëm në moshën 80 vjeç. Marrëdhëniet e forta ndihmojnë në vonimin e rënies mendore dhe fizike. Kujdesi për trupin është i rëndësishëm për një jetë të mirë, por po ashtu është edhe ruajtja e marrëdhënieve të mira”, vuri në dukje Robert Waldinger.

Faktorë të tjerë që mund të çojnë në një jetë të mirë dhe të lumtur janë shoqërimi, të dish kur të heqësh dorë, të jesh i sinqertë në marrëdhënie dhe të vlerësosh njerëzit e dashur.


Shtuar 17.08.2023 10:10