Shkelje të shumta në tendera, Erion Isai i pret duke buzëqeshur akuzat e SPAK, reagon kryebashkiaku i Kolonjës pasi u mor zyrtarisht i pandehur

Kjo e mërkurë për kryebashkiakun socialist të Kolonjës, Erion Isai, ka qenë një ditë aspak e zakontë, kur përpos ditëlindjes së vogëlushes së tij E’dua, u mor i pandehur zyrtarisht nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Por, mesa duket ky lajm i fundit nuk e ka shqetësuar aspak kryebashkiakun i cili vetëm pak minuta pasi lajmi për marrjen e tij si i pandehur “mori dhenë”, ai ka postuar një foto në rrjetet e tij sociale ku shihet krah vajzës së tij që sot feston 5 vjetorin.

“Vajza e ditëlindjes”, shkruan Isai teksa shihet i buzëqeshur.

Kryebashkiaku socialist i Kolonjës, Erion Isai u mor i pandehur nga Prokuroria e Posaçme dhe akuzohet për shkelje të shumta në kryerjen e tenderave dhe ankandeve publike, gjatë drejtimit të bashkisë.

Hetimet ndaj procedurave të prokurimeve publike në Bashkinë e Kolonjës kanë nisur disa vite më parë. Erion Isai ka qenë për herë të parë në dyert e SPAK në vitin 2023, kur ka deklaruar për mediat pas marrjen në pyetje, se hetimet kishin lidhje me tenderat.

“Nuk ka lidhje me krimet zgjedhore, kam qenë i thirrur si person që ka dijeni. Ka lidhje me një ngjarje konkrete të para shumë kohëve, ku Bashkia nuk ka qenë e përfshirë me tender publik të drejtpërdrejtë por si institucion në dijeni. Së kë po heton i takon prokurorisë, unë jam pyetur si person që ka dijeni”, tha Erion Isai në 2023.

Për herë të dytë, ai u paraqit para organit të akuzës në Janar 2025. Erion Isai i shtohet kryebashkiakëve socialistë që shkelja e rregullave në procedurat publike të prokurimeve i kanë çuar në dyert e prokurorisë.

Kryebashkiaku i Kolonjës akuzohet për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion pasiv dhe aktiv”, “Fshehje të pasurisë” dhe “Shkelje të parimeve të barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike”.

Procedurat e prokurimit të kryera nga Bashkia e Kolonjës janë hetuar nga Prokuroria e Posaçme dhe nga kontrolli ka rezultuar se shumica e tyre janë të shënuar me “flamur të kuq”, sepse fituesi ka qenë i paracaktuar dhe punimet nuk janë kryer sipas parashikimeve ligjore.

Erion Isai drejton Bashkinë e Kolonjës prej vitit 2019, kur socialistët vendosën t’i besonin aktorit të humorit, ndërsa në vitin 2023 ai arriti të siguronte dhe një mandat të dytë për bashkinë e vogël në juglindje të vendit.


Shtuar 24.09.2025 19:34