Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku ka dalë nga SPAK pas rreth 40 minutash përballë prokurorëve të posaçëm.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se Balluku është sot zyrtarisht person nën hetim, ndërkohë që zëvendës kryeministrja ka zgjedhur të bëjë një reagim të shkurtër për mediat duke mos dhënë shumë detaje.
Ajo u shpreh se beson në një proces që bazohet në drejtësi dhe barazi.
Zyrtarish Balluku është nën hetim të veprës penale shkeljes së barazisë në tendera. Në kuadër të hetimeve të Ballukut janë kryer një sërë kontrollesh ndaj personave të besuar të saj.
“Në respekt të plotë të organeve të drejtësisë, kam pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për një çështje në hetim. Si qytetare e Republikës së Shqipërisë dhe zyrtare publike e shikoj këtë si një proces, një proces i cili jam shpresëplotë që do të jetë i bazuar mbi transparencë dhe mbi parimet e drejtësisë tek e cila besoj”, tha ajo.
 
			    
			    
			    
			    
			    
			    
			    
			    
						 
						 
						 
						