Shkelje e barazisë në tendera, GJKKO pezullon nga detyra prefekten e qarkut të Fierit, Rajmonda Balilaj

Tirane– GJKKO pezullon nga detyra prefekten e qarkut të Fierit, Rajmonda Balilaj në hetim nga SPAK pasi në bashkëpunim me 6 zyrtarë të saj gjatë kohës që ka qenë në krye të bashkisë Patos akuzohet se ka kryer shkelje të barazisë në 2 tendera duke favorizuar një firmë ndërtimi.

Hetimet kanë nisur nga SPAK prej 2021 ndërsa vendimi i GJKKO-së u mor më 8 mars dhe masat e sigurimit ndaj gjashtë të hetuarve u ekzekutuan sot (9 mars)  nga Byroja Kombëtare e Hetimit. Për një nga të hetuarit nuk është bërë i mundur ekzekutimi pasi ndodhet jashtë shtetit.

GJKKO ka pezulluar nga detyra edhe Shkelqim Beqirin aktualisht sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Patos; Anisa Petani, ish Nënkryetaren e Bashkisë Patos, aktualisht e punësuar pranë Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Fier; Bora Murati, me detyrë secialiste Urbaniste, në Drejtorinë e Urbanistikës, pranë Bashkisë Patos si dhe ka firmosur detyrim me paraqitje për tre të tjerë: Eneriada Rizai anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Vangjel Nushi  ish Drejtor i Drejtorisë së Monitorimit dhe Shërbimeve Publike, pranë Bashkisë Patos dhe Arben Manoku, me detyrë ish Inxhinier pranë Bashkisë Patos.

Faktet penale të hetuara në kuadër të këtij procedimi penal, kanë të bëjnë me dy procedura prokurimi të organizuara në vitin 2021, nga Bashkia Patos, si Autoritet Kontraktor.

Paracaktoi fituese firmen “G…. 001′ ne tenderin 6.7 mln lekë

Sipas SPAK  për tre vjet Balilaj ka favorizuar firmen “G…. 001′ në tenderin  për ;Ndërtim emergjent të murit mbajtës me gabiona dhe gurë në Dukas-Breg, si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe kthimin e rrugës në gjëndjen e mëparshme”, me fond limit 6,758,853.92 lekë.

Kjo firmë për tre vite ishte shpallur fituese në 33 tendera

“E hetuara  ka ndërmarrë një sërë hapash nëpërmjet punonjësve të Bashkisë, për të legjimituar anulimin e procedurës së tenderimit, pikërisht për të mos u shpallur fitues operatori “2…..” gjë që do të nxirrte zbuluar punimet e kryera nga operatori i paracaktuar për të fituar garën. Nga hetimi u provua se e hetuara ka paracaktuar fituesin e këtij tenderi, pikërisht operatorin “G……. 001”, i cili është shpallur fitues (që nga viti 2019, kur ky subjekt është regjistruar për herë të parë në QKB deri në vitin 2022, pra për tre vjet) në 32 procedura të organizuara nga Bashkia Patos, thuhet në njoftimin e SPAK.

Paracaktoi fituese firmen “G…. 001′ ne tenderin 8 mld leke

Tenderi nr 2 në të cilin ishte shpallur fituese po firma “G… 001” është ndërtimi emergjent i murit mbajtës në trupin e rrugës në fshatin Ruzhdie, si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe kthim i rrugës në gjendjen e mëparshme”, në vlerën 8,634,380.435 lekë.

Në këtë procedurë prokurimi, me Autoritet Kontraktor Bashkia Patos, ish Kryetarja e Bashkisë Patos, R. B., ka paracaktuar fituesin i cili është i njëjti operator “G……. 001”, duke dalë në “Apollon TV” dhe informuar fillimin e punimeve për këtë rrugë, në datën 06.02.2021, në një kohë kur shpallja e fituesit “G……. 001” është  bërë në datën 15.02.2021, dhe lidhja e kontratës me autoritetin kontraktor është bërë në datën 16.02.2021, informon SPAK.

Dosja e SPAK dhe akuzat

1- Rajmonda Balilaj – Aktualisht Prefekte e qarkut Fier, Ish kryetare e bashkisë Patos

Masa e sigurisë – Pezullim të detyrës publike

Akuza: Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim (2 herë)

2- Shkelqim Beqiri–  Aktualisht sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Patos. Në hetim në cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave

Masa e sigurisë – Pezullim të detyrës publike

Akuza: Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim (2 herë)

3-  Anisa Petani – Ish Nënkryetare e Bashkisë Patos, aktualisht i punësuar pranë Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Fier. Në hetim në cilësinë e Kryetarit të Vlerësimit të Ofertave në bashkinë e Patosit

Masa e sigurisë – Pezullim të detyrës publike

Akuza: Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim (2 herë)

4- E. R Në hetim në cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave

Masa e sigurisë: Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore

Akuza: Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim (2 herë)

5- Bora M – Me detyrë Secialiste Urbaniste, në Drejtorinë e Urbanistikës, pranë Bashkisë Patos

Masa e sigurisë – Pezullim të detyrës publike

Akuza: “Falsifikimi i dokumentave”, kryer në bashkëpunim

6- Vangjel Nushi – me detyrë ish Drejtor i Drejtorisë së Monitorimit dhe Shërbimeve Publike, pranë Bashkisë Patos

Masa e sigurisë: Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore

Akuza: “Falsifikimi i dokumentave”, kryer në bashkëpunim

7- Arben Manoku – Me detyrë ish Inxhinier pranë Bashkisë Patos

Masa e sigurisë: Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore

Akuza: “Falsifikimi i dokumentave”, kryer në bashkëpunim./albeu.com