Dhjetë mijë euro nuk janë pak para që pensionisti 65-vjeçar, Robert Astani të mund t’i quajë të humbura. Megjithatë, kjo është shuma që ai duhet ende të marrë për punën që bëri në rafinerinë e naftës në Ballsh, përpara se fabrika të pushonte së funksionuari në shtator 2019.
Më shumë se dy vjet më vonë, qindra punëtorë janë ende duke luftuar për paratë që u detyrohen dhe – nëse është e mundur – për mbijetesën e një rafinerie që është një nga punëdhënësit e paktë të rëndësishëm në zonë.
Protestat nisën në fund të nëntorit nën dyshimet se rafineria po çmontohet gjatë natës, ndërsa punëtorët nuk informohen për asgjë.
“Kemi kaluar shumë vite pa marrë rroga”, tha Astani. “Janë rreth 10,000 euro që duhet të marr sepse e fitova çështjen në gjykatë. Vendimi është përfundimtar dhe unë duhet t’i marr ato para”, tha ai për BIRN.
“Dhe pastaj le ta prishin rafinerinë, të bëjnë çfarë të duan, nëse nuk është e mundur të vihet në punë. Por të paktën të na japin paratë që na detyrohen.”
Naftëtarët e Ballshit, të cilët janë rreth 1,000, thonë se problemet nisën në vitin 2008, kur u privatizua për herë të parë rafineria e naftës. Që atëherë, pronësia ka ndryshuar disa herë.
Pronari i parë privat, ARMO, ia shiti kompaninë tashmë me borxhe në vitin 2014 Heaney Assets, e kontrolluar nga Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit. Ajo u shit sërish në vitin 2015, por kur blerësi, IRTC i regjistruar në Ishujt e Virgjër Britanikë, nuk arriti të përmbushte kushtet e shitjes, ajo iu kthye Credins Bank, e cila ia shiti sërish në 2017 Allum Enterprises Limited të regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar. Allum, nga ana tjetër, ua dha rafinerinë me qira dy kompanive me pronësi zvicerane, Tosk Energji dhe Bylis Energji.
Në shtator 2019, rafineria i mbylli dyert e saj. Në atë moment, punëtorëve të saj u detyroheshin 13 paga mujore nga një periudhë prej rreth tre vjetësh.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve në lidhje me rafinerinë, duke e drejtuar BIRN-in te vetë kompania. BIRN kontaktoi me Tosk Energji dhe Bylis Energji, por nuk mori asnjë përgjigje.
Dy orë larg me makinë nga Tirana, qyteti i Ballshit, në qarkun e Fierit, u rrit rreth rafinerisë së naftës që u hap në zonë në mesin e viteve 1970.
E ndërtuar duke përdorur punën e të burgosurve gjatë regjimit komunist të Shqipërisë, uzina u bë një burim i rëndësishëm punësimi jo vetëm për Ballshin, por edhe për qytetet e afërta të Patosit, Mallakastrës, Kuçovës dhe Fierit.
“Ne menduam se ajo kishte një të ardhme dhe ishte një krenari jo vetëm për qytetin, por për të gjithë Shqipërinë”, tha Ilir Pashai, i cili mori pjesë në ndërtimin e rafinerisë në vitet 1970. “Ajo kishte gjithashtu kapacitete të mëdha prodhuese. Tani ndihem shumë i trishtuar.”
Pashai kujtoi inxhinierët dhe specialistët kinezë që u sollën aty për të drejtuar punimet e ndërtimit falë marrëdhënieve të ngrohta mes aleatëve të atëhershëm komunistë. Tre nga vëllezërit e tij dhe dy djemtë e tij vazhduan të punonin në fabrikë.
I trajnuar nga specialistë kinezë për dy vjet, njëri nga vëllezërit e tij, Hysen Pashai, ka punuar në rafineri nga viti 1976 deri në vitin 1982 si teknolog i rafinimit të naftës, përpara se ai dhe familja e tij të burgoseshin nga komunistët. Ai u kthye për të punuar atje në 1992.
“Hapja e rafinerisë ishte një ngjarje e paprecedentë në qytetin e Ballshit,” tha ai. “Në atë kohë ishin 1,200 specialistë shqiptarë dhe mbi 300 specialistë kinezë. Kjo rafineri na ka zhvilluar teknikisht, ekonomikisht.”
Thirrje për ndërhyrje nga ana e qeverisë
Duke e cilësuar ndërtimin e saj si një “punë kolosale”, Hysen Pashai tha se rreth 3,650 “të burgosur politikë” morën pjesë, duke ndërtuar kanalizime dhe rezervuarë nëntokësorë.
Tani punëtorët po përballen me policinë, tha ai.
“Kohët e fundit filloi çmontimi. Ne folëm, protestuam, por për protestën që mbajtëm përfunduam në komisariat dhe nën presion të madh.” Ai tha se ende i detyrohen 6,600 euro paga të papaguara.
Qendra për të Drejtat në Punë, CLR, e cila promovon të drejtat e punëtorëve, i ka bërë thirrje qeverisë që të ndërhyjë në emër të punëtorëve dhe të sigurojë stabilitetin e tyre afatgjatë financiar.
“Qeveria nuk ka marrë asnjë masë këtë vit për të garantuar rikthimin në punë të rafinerisë së Ballshit dhe një gjë e tillë nuk duket se do të ndodhë në muajt në vijim”, thuhet në një deklaratë të 11 tetorit 2021.
“Kriza ekonomike dhe sociale e këtyre punëtorëve bëhet edhe më e thellë dhe alarmante duke pasur parasysh faktin se naftëtarët me të ardhurat nga pagat mbajnë familjet e tyre.”/BIRN