Shkatërrimi i një dige nuk do ta shpëtojë Putinin nga disfata përballë kundërsulmit të Ukrainës

Nga Robert Clark “Daily Telegraph

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Një video e publikuar fundjavën e kaluar nga qeveria ukrainase, tregon një seri ushtarësh që mbajnë gishtat tek buzët e tyre, si për të treguar zbatimin e kërkesës kryesore nga lart për fshehtësinë operacionale teksa pritet të nisë kundërofensiva e Ukrainës ndaj forcave pushtuese ruse.

Videoja e shkurtër arrin kulmin me një klip që tregon 2 avionëve luftarakë që zënë pozicione në qiell. Mesazhi është i thjeshtë dhe efektiv. Ndërsa tani jemi në qershor, ofensiva e shumëpërfolur verore e Kievit nuk ka nisur ende.

Shumë pak zyrtarë ukrainas dhe amerikanë i dinë datat dhe oraret e sakta se kur do të nisin një seri manovrash fillestare të shpejta gjithëpërfshirëse, të pasuara nga zbulimet dhe më pas goditjet e linjave mbrojtëse ruse që janë më të dobëta. Planet e ukrainasve, janë bërë sekreti i ruajtur më mirë në historinë moderne ushtarake.

Pavarësisht kësaj, ka aktualisht shenja se kundërsulmi është i afërt. Operacionet e ditëve të fundit në lindje të vendit, duket se janë përgatitje për një seri shpërthimesh të mëdha drejt fundit të kësaj jave ose fillimit të javës së ardhshme. Për shembull në Bakhmut, ukrainasit kanë përparuar gati 1.5 km në periferi të qytetit vetëm ditët e fundit.

Këtë gjë e dinë edhe rusët. Ushtria e tyre mund të jetë shumë gjëra:e paaftë, të padisiplinuar, jo fleksibël dhe e udhëhequr keq. Por ajo ruan ende një nivel të mirë në të dhënat e inteligjencës në një hapësirë beteje e cila mbetet kryesisht e kontestuar.

Rusët kryejnë vazhdimisht operacionit rikonjicioni dhe analizojnë imazhet e fundit satelitore. Ata janë shumë të vetëdijshëm se kundërofensiva ukrainase është tani vetëm disa ditë larg. Dhe janë të tmerruar nga ky fakt. Në këto kushte, ajo që duket të jetë një shkatërrimi i qëllimshëm

i digës Kakhovka nga forcat ruse, është një përpjekje e dëshpëruar për të ngadalësuar ofensivën ukrainase.

Sepse është e vërtetë që trupat ukrainase po angazhohen pjesërisht për të ndihmuar në menaxhimin e pasojave të përmbytjeve tek popullatën lokale. Por as kjo manovër nuk do ta shpëtojë ushtrinë ruse. Linjat e tyre e frontit të përforcuara gjatë muajve të dimrit, janë të mbrojtura dobët.

Forcat ruse janë të përhapura shumë hollë në frontin e gjatë prej 900 kilometrash. Rekrutët rusë që ndodhen në to janë me moral të dobët, dhe pa ndonjë udhëheqje dhe stërvitje cilësore. Dhe pa ushtarë të trajnuar mirë, ushtria ruse do të dërmohet përballë tankeve dhe mjeteve luftarake të këmbësorisë të dërguara kohët e fundit nga Perëndimi, me në krye trupat ukrainase me shumë përvojë tashmë në beteja.

Shenjat e para reale të fushatës ushtarake të kësaj vere janë duke u shfaqur tashmë, pasi njësitë e zbulimit ukrainas po vëzhgojnë në detaje linjat mbrojtëse ruse, në përpjekje për të identifikuar pikat më të cenueshme që mund të sulmohen. Më pas kolonat e rënda të blinduara do të godasin segmentet më të dobëta të frontit armik.

Goditja e tyre do të lejojë hyrjen në aksion të forcave më të lehta të këmbësorisë, duke shfrytëzuar boshllëqet e krijuara nga bomdardimet, si dhe duke synuar që të presin dhe rrethojnë pozicione të mëdha ruse në madhësinë e një brigade.

Qeveria ukrainase ka të ngjarë të mos japë shumë të dhëna, edhe pasi të jetë duke u zhvilluar ofensiva kryesore. Por shumë shpejt do të fillojmë të shohim kolona automjetesh ukrainase, të ndjekura me shpejtësi nga tanket ruse të djegura.

Media shtetërore e Kremlinit nuk do të jetë në gjendje ta përshkruajë këtë, por as ta mbajë sekret atë. Putini duhet të jetë i tmerruar. Për më shumë se një vit, dhe ndoshta që nga viti 2014, forcat e tij kriminale, terroriste, mercenare dhe rekrutuese e kanë terrorizuar Ukrainën dhe popullin e saj.

Tani forcat e Kievit janë të vendosura ta zhvendosin luftën brenda Rusisë. Shkatërrimi e digës tregon se sa e frikësuar është ushtria e përhumbur e Moskës. Kjo është një taktikë e zbehtë e shkaktimit të vonesës, në një përpjekje për të shtyrë me vetëm disa ditë kundërsulmin ukrainas. Por së shpejti nuk do të ketë sekrete, dhe ushtarët e Putinit nuk do të kenë se ku të fshihen. /albeu.com

Shënim:Robert Clark, është drejtor i Njësisë së Mbrojtjes dhe Sigurisë në Civitas. Më herët ka shërbyer në Ushtrinë Britanike.

 


Shtuar 8.06.2023 12:43