Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar për herë të parë duke konfirmuar zyrtarisht shkarkimin e zëvendësministrit të Brendshëm, Andi Mahila për shkak të një sjelljeje që sipas saj përbën shkelje të ligjit anti-duhan.
Me anë të një postimi në Facebook, ministrja shpjegon se vendimi është marrë pas një denoncimi nga një qytetar shqiptar që jeton në New York, i cili kishte qenë dëshmitar i një episodi ku zëvendësministri kishte tymosur cigare në një restorant në Tiranë, në kundërshtim me ligjin.
“Bëra verifikimin përkatës dhe i komunikova zv.ministrit largimin nga detyra. Çdokush mund të gabojë padashje dhe mund të mirëkuptohet, por të pish cigare brenda në lokal nuk është një gabim padashje, po një shkelje e pajustifikueshme e ligjit,” shkroi Koçiu.
Ministrja thekson se standardet duhet të fillojnë nga vetë drejtuesit e institucioneve, sidomos në një dikaster si ai i Punëve të Brendshme, i cili ka në mision garantimin e rendit dhe respektimin e ligjeve.
Reagim i Ministres së Punëve të Brendshme, Albana Koçiu në fb:
Konfirmoj sa ka dalë në shtyp lidhur me largimin e zëvendësministrit.
Kam marrë një denoncim nga një bashkatdhetari ynë në New York, i cili bashkë me familjen kishte përjetuar shqetësim për faktin se zv.ministri i Brendshëm tymoste cigare në restorant.
Bëra verifikimin përkatës dhe i komunikova zv.ministrit largimin nga detyra.
Çdokush mund të gabojë padashje dhe mund të mirëkuptohet, por të pish cigare brenda në lokal nuk është një gabim padashje, po një shkelje e pajustifikueshme e ligjit. Aq më tepër për një drejtues të një institucioni si Ministria e Punëve të Brendshme.
Nga ana ime e kam njoftuar bashkëatdhetarin që dërgoi mesazhin, se shqetësimi i tij i drejtë nuk ra në vesh të shurdhër.
I siguroj të gjithë qytetarët, që do të denoncojnë shkelje të cilitdoqoftë, se do të dëgjohen me të njëjtin respekt. Jo vetëm me fjalë por me qëndrimet parimore, që ata me plot të drejtë presin prej nesh.